Qëllimi i arsimit profesional për drejtimin Elektronikë është përgatitja e nxënësit nga ana teorike dhe praktike nëpërmjet lëndëve teorike bazë dhe profesionale. Kjo bën të mundur vazhdimin e studimeve të mëtejshme dhe punësimin në fushën ku ka aplikim ky specialitet si: Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit; Industria Elektronike, Mekatronike dhe inspektimi e mirëmbajtja e pajisjeve elektronike. Përgatitja cilësore teorike dhe praktike i mundëson nxënësit aftësi si:
a) Njohjen e pajisjeve e metodave matëse dhe diagnostikuese të fushës së elektronikës;
b) Përdorimin e elementeve elektronike për ndërtimin e skemave funksionale;
c) Mirëmbajtjen dhe riparimin e pajisjeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit e komunikimit;
d) Programimin e pajisjeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit;
e) Instalimin e sistemeve operative dhe software në pajisjet e teknologjisë së informacionit e komunikimit.


