Biografia e Harry T. Fultz

29 Dhjetor 1888 – 30 Dhjetor 1980
Harry T. Fultz lindi në qytetin Salem të shtetit Indiana. Fillimisht ai u diplomua në kolegjin Wabash në Indiana e më pas në universitetin teknologjik “Amarou” në fushën e mekanikës. Deri në 1922 ai punoi si pedagog në institucione të ndryshme arsimore në Amerikë. Gjatë kësaj periudhe pati një shkëputje 2-vjeçare (1917 – 1919) për shkak të shërbimit ushtarak.


Në 1922, Kryqi i Kuq Amerikan e caktoi profesorin e arteve mekanike, 34 vjeçarin Harry T. Fultz, Drejtor të Shkollës Teknike, Tiranë. Nëpërmjet punës së tij Shkolla Teknike tërhoqi vëmendjen e opinionit të kohës si shkollë me cilësi të larta. Pedagogjia e tij në punë si drejtues mbështetej në moton “Learning by doing” (të mësuarit nëpërmjet praktikës) të cilën ai e zbatonte vetë i pari. Me kultin e punës u lidh edhe emri i revistës së shkollës “Laboremus” (të punojmë). Si pedagog i shquar ai diti të verë një rregull dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë, të rrënjosë dashurinë për punën, bazuar në të famshmin prakticitet amerikan. Si inxhinier me aftësi të rralla diti të ndërtojë një shkollë me një përgatitje akademike e teknike të cilësisë së lartë.

Veprimtaria e Harry Fultz është një ndërthurje e shkëlqyer e ideve pragmatiste, shpesh herë të gërshetuara edhe me elementë te edukatës, të pedagogjisë së punës ku fjala ka një unitet me veprimin, ku pasioni për punën shkrihet me profesionalizmin e lartë, përballë një personaliteti të madhërishëm të mësuesit bashkëkohor, të shkrira në një. Ai solli në vendin tonë traditën e përvojën më të mirë të shkollës amerikane, zbatoi metodat e reja të mësimdhënies dhe të mënyrës së të mësuarit, vuri në jetë dhjetra projekte, gjithçka në shërbim të përgatitjes e formimit të teknikëve të rinj.

Kujtimet e ish-nxënësve të tij janë vlera dokumentare që flasin për një model të shkëlqyer të mësuesit demokrat, i cili shquhet për nivelin shkencor, aftësitë e veçanta organizative në vënien në lëvizje të organizmave të shkollës. Ato janë dëshmi e një përvoje dhe intuite të thellë psiko-pedagogjike, e një ndjeshmërie të situatave të nxënësve e përpjekje maksimale për t’iu gjendur pranë si mësues e prind në çfaredo rrethane.

Misioni i tij përfundoi më 1933 pas 11 vjetësh duke lënë një mesazh për brezat e shkollës “Përpiqu ta bësh vendin të denjë për të jetuar në të”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi 4 vjet në Departamentin e Shtetit dhe në agjensitë e tjera qeveritare të SHBA. Nga maji i vitit 1945 deri në nëntor të vitit 1946 punoi në misionin diplomatik të SHBA në Tiranë dhe në ambasadën Amerikane në Romë deri në pranverë të vitit 1947.

Në pranverë të vitit 1947 u caktua Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare, një rezidencë kryesisht pë studentët e huaj në Universitetin e Chicagos dhe qëndroi në këtë post deri sa doli në pension në vitin 1962. Gjatë këtyre viteve punoi gjithashtu sekretar i Bordit Panamerikan të Arsimit (1947 – 1962).