Gjimnazi


Studimet në drejtimin gjimnaz në Shkollën ”Harry Fultz” synojnë të kontribuojnë në

  • Realizimin e potencialit të individit dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij potenciali.
  • Përparimin e shoqërisë nëpërmjet aftësimit të qytetarëve për përfshirje aktive në ushtrimin dhe zhvillimin e demokracisë.
  • Mbarëvajtjen e ekonomisë së tregut të lirë nëpërmjet aftësimit të forcave të punës për të përballuar ritme të larta të rritjes ekonomike dhe të zhvillimit teknologjik.

Kurrikula në gjimnazin e ri është e organizuar në:

  • Kurrikula bërthamë
  • Kurrikula me zgjedhje.

Kurrikula bërthamë është e detyruar dhe e njëjtë për të gjithë nxënësit.
Lista e lëndëve me zgjedhje të detyruar e miratuar nga shkolla dhe e parapelqyer nga nxenesi i jep prioritet:

  • Matematikës së avancuar.
  • TIK i avancuar.
  • Autocad-it dhe vizatimit teknik.
  • Teorisë së dizenjimit me aplikimet e saj.

Ky organizim u mundëson nxënësve një formim të përgjithshëm të plotë dhe të përditësuar.
Përvoja tregon se një bazë e plotë mësimdhënie i bën nxënësit më të zotë për çdo dege të shkollës së lartë. Kjo shumëllojshmëri zgjedhje i ofron nxënësit mundësinë të përballojë me sukses ndryshimet dhe të përshtatet me kurrikulën me zgjedhje si dhe mundësinë e një specializimi të ngushtë të tyre..
Kurrikula e gjimnazit synon të pajisë secilin nxënës me njohuri, aftësi dhe qëndrime të cilat t’i bëjnë të mundur:

  • Studimet Universitare me një gamë të gjerë zgjedhjesh;
  • Të njohë përgjegjësitë e tij ndaj vetes dhe t’i përmbushë ato;
  • Të bëjë zgjedhjet e tij të suksesshme ekonomike;
  • Të bëjë zgjedhjet e tij të suksesshme të karrierës;
  • Të japë ndihmesë për shoqërinë;
  • Të ndihmojë në zhvillimet ekonomike dhe publike të vendit;


Arte 10

Programi i lëndës synon të zhvillojë njohuritë, aftesitë, qëndrimet dhe prirjet e domosdoshme për një shoqëri të qëndrueshme demokratike. Nëpërmjet trajtimit historik të zhvillimit të artit, programi synon që nxënësi të dallojë veçoritë e zhvillimit të artit dhe të vlerësojë kontributet dhe ndikimin e artit në zhvillimin qytetar dhe intelektual të shoqërisë. Njëkohësisht nxënësi duhet të argumentojë parapëlqimet e veta artistike në grup dhe në familje dhe të jetë në gjendje të organizojë dhe të nxjerrë në pah aftësitë krijuese në art, duke përfshirë periudhat: nga parahistoria deri në ditët e sotme. Gjithashtu nxënësit do të marrin njohuri mbi historinë e artit pamor figurativ, botëror dhe atij shqiptar.


Arte 11

Hartimi i programit të kësaj lënde është organizuar si mbështetje dhe vazhdim i lëndës Arte 10. Programi synon të rrisë ndërgjegjen qytetare dhe të përmirësoje tek nxënësit aftësite shoqërore në fushën e artit muzikor. Ata marrin njohuri mbi rrugën e zhvillimit të artit muzikor në periudha dhe rryma të ndryshme. Nxënësi njihet me rolin dhe ndikimin e tij në formimin kulturor të shoqërisë që në kohërat e lashtësisë, historinë e artit muzikor botëror dhe atë shqiptar.


Arte 12

Lënda synon në vazhdimësi formimin kulturor të nxënësve duke i orientuar drejt kuptimit e krijimit të së bukurës dhe harmonisë në fusha të ndryshme të zhvillimit të artit botëror dhe shqiptar. Nëpërmjet programit synohet që nxënësi të njohë dhe të kuptojë vlerat e artit në zhvillimin shpirtëror dhe material të njerëzimit. Nxënësi duhet të jetë në gjëndje të argumentojë dhe të përpunojë parapëlqimet e veta artistike por edhe të nxitet për të evidentuar e përpunuar shijet e tij artistike. Në misionin e kësaj lënde është edukimi i të menduarit kritik dhe i të qenit krijues dhe i aftë për të bashkëpunuar dhe debatuar në grup në lidhje me historinë e artit koreografik të gjithë kohërave, përfshirë edhe folklorin si pikënisje e kërcimeve botërore dhe shqiptare. Gjithashtu njihet edhe me historinë e teatrit botëror dhe shqiptar.


Anglisht 10

Metoda e përdorur është “New Inside Out”- New edition në nivelet Pre-Intermediate dhe gjysma e nivelit Intermediate. Ky nivel ka për qëllim të konsolidojë dijet e marra në shkollën 9-vjeçare duke e vendosur nxënësin në një platformë e këndvështrim të ri për angazhimin e tërësishëm të tij në planin intelektual dhe emocional, për ta vënë atë në shërbim të ambicieve të tij në përvetësimin e kësaj gjuhe si dhe në funksion të dijeve në lëndë të tjera që mësohen në këtë shkollë. Nxënësi konsolidon në këtë stad reflekset gjuhësore në aspektet lexim, shkrim, dëgjim dhe stimulohet në të folur.


Anglisht 11

Metoda është “New Inside Out”- New Edition me pjesën e dytë të nivelit Intermediate dhe tërësisht nivelin UpperIntermediate. Puna është konceptuar si vazhdim i punës së nisur në vitin e mëparshëm. Puna synon një balancim e përfshirje të natyrshme në mësimin e një gjuhe të re mbi një këndvështrim analitik, ku nxënësi nxitet të shoh më shumë aspekte komplekse të gjuhës. Nxënësi në këtë fazë kupton një tekst kompleks qartë, komunikon mbi të dhe di gjithashtu të ndërtojë një tekst mbi një spektër të caktuar problemesh. Ai bëhet dëgjues i mirë dhe në përfundim të vitit shkollor është i gatshëm të përballojë kërkesat e nivelit standart B-2 të CEF (Common European Frame).


Anglisht 12

Nxënësi përmbyll kërkesat e ciklit të plotë të metodës “New Inside Out”- New edition përmes fokusimit në punën me nivelin Advanced. Nxënësi këtu rishikon në mënyrë harmonike e praktike tërë elementët e kompleksit gjuhësor dhe është i gatshëm të krijojë e interpretojë koncepte nga pikëpamja formale. Nxënësi ndjen tashmë kënaqësinë e tërë punës së kryer duke i mëshuar më shumë punës individuale dhe konsultave gjuhësore qofshin ato brenda apo jashtë orës së mësimit në takimet e hapura të klubit të Anglishtes.


Italisht 10

Mësimdhënia e gjuhës italiane për klasën e 10-të, nëpërmjet metodës “Progetto Italiano”, niveli A1-A2, synon të arrijë këto objektiva: Leximin rrjedhshëm të teksteve të ndryshëm; Të kuptuarin e shprehjeve të njohura e të përditshme, si dhe thënie shumë të thjeshta për të plotësuar nevoja konkrete; Arritjen e komunikimit në mënyrë të thjeshtë e të qartë. Nxënësi mund të përshkruajë me mjete të thjeshta formimin e tij, mjedisin përreth dhe të përmendë tema që u përkasin nevojave të tij të ngushta. Kuptimin dhe përdorimin e shprehjeve të përdorura më shpesh në lidhje me fusha që kanë përparësi të madhe si: informacione të thjeshta personale e familjare, blerje, mjedisi i punës…etj. Për nga përmbajtja gramatikore, nxënësi ka përftuar njohuri mbi kohët e thjeshta dhe të përbëra të mënyrës dëftore si: e tashmja, e kryera, e ardhmja, e ardhmja e përparme, e pakryera dhe më se e kryera.


Italisht 11

Mësimdhënia e gjuhës italiane për klasën e 11-të, nëpërmjet metodës “Progetto Italiano”, niveli B1-B2, synon të arrijë këto objektiva: Kuptimin e pikave themelore, ku përdoret një gjuhë e qartë dhe standarte; Tia dalë mbanë në shumicën e rasteve që hasen gjatë udhëtimit në një zonë ku flitet gjuhë italiane; Të krijojë një ligjëratë të thjeshtë dhe të arsyetuar mbi tema të njohura dhe të fushave që paraqesin interes për të; Eshtë i aftë të tregojë një ngjarje, një përvojë ose një ëndërr; Të përshkruajë një dëshirë apo një qëllim dhe të paraqesë shkurt arsye apo shpjegime për një projekt ose ide. Për nga përmbajtja gramatikore nxënësi ka përftuar njohuri mbi kohët: e kryer e thjeshtë dhe e kryer e tejshkuar, kohët e mënyres lidhore dhe kushtore, përdorimin e disa lidhëzave në fjalitë e përbëra, formimin e disa ndajfoljeve.


Italisht 12

Mësimdhënia e gjuhës italiane për klasën e 12-të, nëpërmjet metodës “Progetto Italiano”, niveli B2-C1, synon të arrijë këto objektiva: Të kuptojë përmbajtjen themelore të temave konkrete ose abstrakte në një tekst të ndërlikuar, duke përfshirë një diskutim teknik në specialitetin e vet; Të komunikojë në një shkallë spontaniteti dhe lehtësie në një bisedë me një folës të lindur; Të shprehet në mënyrë të qartë dhe të hollësishme mbi një gamë të gjerë temash; Të kuptojë një sere tekstesh të gjata dhe me kërkesa si dhe të kapë domethëniet e pashprehura; Shprehet spontanisht dhe rrjedhshëm, pa u përpjekur të gjejë fjalët; Mund të shprehet me gojë dhe me shkrim në formën e eseve mbi tema të ndërlikuara në mënyrë të qartë dhe të strukturuar mirë, si dhe të shfaqë kontrollin në përdorimin e mjeteve të organizimit, të lidhjes dhe të kohezionit të ligjërimit. Për nga përmbajtja gramatikore nxënësi merr njohuri mbi përemrat e pacaktuar, përemrat lidhore, lidhëzat bashkërenditëse e nënrenditëse, përdorimin e përemrave “Ci” e “Ne”, rimarrjen e disa kohëve të foljeve të shtjelluara e të pashtjelluara…etj.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 10

Programi i kësaj lënde të integruar synon formimin sa më të plotë gjuhësor dhe letrar të nxënësve për t’i orientuar ata në një komunikim të përshtatshëm dhe shumëplanësh. Gjatë vitit nxënësit do të punojnë me tekste të shkruara letrare dhe joletrare, me tekste të folura dhe pamore, duke ndërthurur 5 fushat kryesore: Të lexuarit, Të shkruarit, Të folurit, Të dëgjuarit, Të vështruarit. Nxënësit aftësohen të vlerësojnë të lexuarin si mjet për zgjerimin e horizontit të tyre kulturor, të zbulojnë pasurinë e gjuhës shqipe në tekste të kryeveprave kombëtare dhe botërore, të analizojnë tekste nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore e periudhave dhe rrymave të ndryshme letrare.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 11

Programi i gjuhës shqipe dhe letërsisë 11, duke qenë vazhdim i programit të klasës së 10-të, i rimerr njohuritë duke i zgjeruar dhe thelluar më tej ato. Synimi kryesor është që nxënësit të përdorin gjuhën dhe letërsinë në format e ndryshme të tyre, me shkrim dhe me gojë. Lënda trajton: tekstin tregimtar, poetik, dramatik, shpjegues, argumentues si dhe forma të ndryshme mediatike. E veçanta është se këto “produkte” ata do ti trajtojnë si tekste që mund të kuptohen, por edhe të “ndërtohen”. Nxënësit do të njohin dhe përvetësojnë në mënyrë aktive njohuri për letërsinë kombëtare dhe botërore, do të zhvillojnë interesin për letërsine dhe do të aftësohen për kuptimin dhe vlerësimin kritik të informacionit.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 12

Programi i gjuhës shqipe dhe letërsisë 12 synon zgjerimin dhe thellimin e njohurive të mëparshme, duke pasur si objektiv që nxënësit të zbulojnë aftesitë e domosdoshme për të marrë pjesë në veprimtari praktike, diskutime, prezantime…etj. Lënda përmban analiza të thelluara të teksteve të përzgjedhura nga veprat e letërsisë shqiptare e botërore, nëpërmjet të cilave nxënësit do të demonstrojnë të kuptuarit e koncepteve dhe njohurive për strategjitë e të lexuarit, do të indentifikojnë veçoritë e teksteve dhe do të reflektojnë për to. Në program zë vend puna kërkimore, e cila synon zhvillimin e aftësive për të përdorur burime të ndryshme informative, strategji të larmishme në planifikimin dhe realizimin e shkrimeve të pavarura.


Matematikë 10, Bërthamë

Ky program zhvillon intuitën matematike të nxënësve, aftësitë dhe shprehitë themelore matematike dhe mendimin e saktë logjik. Programi fillon me numrin dhe veprime me numra, shprehje shkronjore, element të gjeometrisë në plan; trajton gjithashtu ekuacionet, inekuacionet, sistemet, funksionin eksponencial dhe logaritmik si dhe statistikë dhe probabilitet.


Matematikë 10, e Avancuar

Ky program synon të thellojë të menduarit logjik dhe kritik të nxënësve, zhvillon aftësitë e formimit të shprehive të nevojshme për ti përdorur këto në jetën e përditshme dhe profesionale. Si program i avancuar thellon njohuritë e nxënësve në konceptet bazë të algjebrës si ekuacioni, inekuacioni, veprime me polinome, funksioni eksponencial dhe logaritmik, elementë të trigonometrisë dhe zbatimet e saj, si dhe programimi linear dhe grafet.


Matematikë 11, Bërthamë

Programi synon të aftësojë nxënësit për të zotëruar shprehitë e punës së pavarur dhe të përdorin në fusha të tjera njohuritë dhe shprehitë matematike. Programi trajton funksionin dhe bashkësinë e tij të përcaktimit, funksionet trigonometrike dhe gjeometrinë në hapësirë. Vend të rëndësishëm zë trajtimi i limitit të funksionit.


Matematikë 11, e Avancuar

Programi synon ti aftësojë nxënësit në zbatimin e njohurive matematike në fusha të tjera, të zhvillojë më tej kulturën logjike të nxënësit. Në program trajtohen matricat dhe përcaktorët, funksionet, metoda e koordinatave në hapësirë, induksioni matematik dhe statistikë e probabilitet.


Matematikë 12, Bërthamë

Programi synon ti aftësojë nxënësit të mendojnë në mënyrë logjike e kritike, të zotërojnë njohuri dhe shprehi për studimet e mëtejshme në çdo fushë. Programi trajton vazhdueshmërinë e funksionit dhe derivatit, zbatime të derivateve, vijat e grades së dytë, njehsimin integral dhe statistikë e probabilitetit. Një vend të veçantë zë përsëritja për maturën shtetërore.


Matematikë 12, e Avancuar

Programi synon të aftësojë nxënësit të modelojnë matematikisht situata të jetës së përditshme, të jenë të motivuar për të studiuar matematikën si fushë që ka rëndësi për jetën sociale dhe profesionale. Programi trajton numrat kompleksë, thellon njohuritë për vijat e gradës së dytë dhe zbatime të matematikës në fusha të tjera.


Kimi 10

Linja: Struktura dhe vetitë e lëndës. Përmes kësaj linje të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime: për strukturën e atomit; molecules, substancave me ndërtim jonik, kovalent, periodicitetit, metalet, jometalet, acidet, bazat, duke përdorur faktet, modelet dhe eksperimentet. Linja: Reaksioni kimik. Përmes kësaj linje, të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime për shpejtësinë e reaksioneve kimike dhe faktorët që ndikojnë në të, si dhe për reaksionet e prapësueshme dhe ekuilibrin kimik e faktorët e tij.


Kimi 11

Linja: Reaksionet Kimike. Përmes kësaj linje, të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime për reaksionet kimike redoks dhe aplikimet e tyre në elektrokimi, jetën e përditshme, si dhe për reaksionet karakteristike të përbërjeve organike si: reaksionet e shtimit, të eleminimit, zëvendësimit radikal, zëvendësimit elektrofilik, zëvendësimit nukleofilik. Linja: Struktura dhe vetitë e lëndës. Përmes kësaj linje, të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime për lidhjet kimike, hibridizimin, forcat ndërmolekulare, strukturën e përbërjeve organike, hidrokarburet, alkoolet, ketonet, aldehidet, acidet karboksilike, aminat, aminoacidet, polimeret, karbohidratet, yndyrnat, proteinat, duke përdorur faktet, modelet dhe eksperimentet.


Fizikë 10

Linja 1: Lëvizja dhe bashkëveprimet. Nxënësit zotërojnë njohuri, aftësi dhe qëndrime ndaj madhësive kryesore kinematike, llojeve të ndryshme të lëvizjes drejtvizore dhe rrethore, ligjeve të Njutonit dhe zbatimeve të tyre, forcës së rëndesës, peshës së trupit, forcës së fërkimit, forcës së gjithësishme, forcës së elasticitetit, impulsit, impulsit të forcës, ligjit të ruajtjes së impulsit, forcës qendërsynuese, ligjit të tërheqjes së gjithësishme, baraspeshës dhe llojeve të saj, çiftit të forcave, momentit të forcave dhe ligjit të ruajtjes së momentit. Linja 2: Energjia dhe transformimet e saj. Nxënësit zotërojne njohuri, aftësi dhe qëndrime ndaj madhësive kryesore të punës, energjisë, fuqisë, energjisë kinetike, potenciale, potenciale gravitacionale dhe elastike, ligjit të ruajtjes së energjisë mekanike, koncepteve bazë të termodinamikës, punës dhe nxehtësisë, parimit të parë dhe të dytë të termodinamikës, si dhe zbatimeve të tyre, të gazit ideal, ekuacionit themelor të teorisë molekulare-kinetike dhe ekuacionit të përgjithshëm të gjendjes së gazit.


Fizikë 11

Linja 1: Lëvizja dhe bashkëveprimet. Nxënësit zotërojnë njohuri, aftësi dhe qëndrime ndaj madhësive kryesore të fushës elektrike konstante, ligjit të Kulonit, fushës elektrike të krijuar nga disa ngarkesa, vijave të fushës elektrike, diferencës potenciale, energjisë elektrike potenciale, kapacitetit elektrik dhe kondesatorit, energjisë së kondesatorit, lidhjes së kondesatorëve, rrymës elektrike dhe qarkut elektrik, rezistencës elektrike dhe ligjit të Omit për një pjesë qarku, për qarkun e plotë, ligjin e Zhaul-Lencit dhe lidhjen e rezistencave në seri dhe parallel. Linja 2: Energjia dhe transformimet e saj. Nxënësit zotërojne njohuri, aftësi dhe qëndrime ndaj madhësive kryesore të lëkundjeve dhe valëve, lëvizjes lëkundëse dhe ekuacionit të lëvizjes lëkundëse, lëkundjeve të detyruara, pasqyrimit dhe përthyerjes së valëve, magnetizmit, vektorit të induksionit magnetik, fluksit, ndryshimit të fluksit, f.e.m të induktuar, autoinduksionit, valës elektromagnetike, parimit të Hygensit, pasqyrimit dhe përthyerjes së dritës, interferencës dhe difraksionit të dritës, trupit absolutisht të zi, hipotezës së Plankut, dukurisë së fotoefektit, rrezatimeve, bërthamës dhe ligjit të zbërthimit radioaktiv, energjisë së lidhjes.


Biologji 10

Linja: Studimi i së gjallës. Përmes kësaj linje, të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime për përbërjen kimike të së gjallës, strukturat, funksionet dhe ndërvarësitë në natyrën e gjallë në të gjitha nivelet e organizimit të saj, që nga qeliza deri në biosferë, duke përdorur faktet, modelet dhe eksperimentet. Linja: Trashëgimia e tipareve dhe evolucioni. Përmes kësaj linje, të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime për bazën materiale të trashëgimisë dhe transmetimit të tipareve nga prindërit te pasardhësit. Ata do të mësojnë se gjenet lejojnë ruajtjen dhe transmetimin e informacionit gjenetik, mbi këtë bazë nxënësit do të argumentojnë në mënyrë shkencore si transmetohen tiparet te gjallesat dhe evolucionin e tyre, duke përdorur faktet, modelet dhe ekperimentet.


Biologji 11

Linja: Studimi i organizmit (Anatomia dhe fiziologjia e njeriut). Përmes kësaj linje, të gjithë nxënësit fitojnë njohuri, aftësi, qëndrime për lidhjet ndërmjet organizimit të qelizave në inde dhe të organizimit të indeve në organe, ku struktura dhe funksionet e organeve përcaktojne lidhjet e tyre brenda sistemeve trupore të një organizmi, në të cilin homeostaza i lejon ato të realizojnë funksionet bazë, duke përdorur faktet, modelet dhe eksperimentet.


Shkencë e Tokës, Mjedisit dhe Hapësirës 10

Shkenca e Tokës synon njohjen dhe kuptimin e strukturës, dinamikës dhe sistemeve gjeofizike të Tokës, marrëdhëniet ndërmjet sistemeve, marrëdhëniet e Tokës me pjesën tjetër të universit si dhe ndërveprimin me aktivitetin njerëzor. Ajo zhvillon shpjegimet e dukurive themelore të gjeografisë fizike dhe gjeologjisë, përfshirë historinë e Tokës, tektonikën e pllakave, evolucionin e formave të tokës, të dhënat gjeologjike të Tokës, motin dhe klimën, si dhe një bazë njohje astronomike në funksion të kuptimit të dinamikës së Tokës.


Shkencë Natyrore

Blloku tematik: Uji, Tretësirat ujore. Në këtë bllok tematik do të studiohet: Uji në natyrë; Rëndësia e ujit për jetën; Ndërtimi i molekulës së ujit; Polarizimi i lidhjeve O-H; Momenti dipolar i molekules së ujit dhe aftësitë e tij tretëse; Lidhja hidrogjenore dhe anormaliteti i ujit; Tretshmëria e kripërave në ujë; Përqëndrimi i tretësirave (molar, normal dhe në përqindje); Lidhja e përqëndrimeve midis tyre; Osmoza; Trysnia osmotike; Osmoza dhe qeliza; Elektrolitet dhe vetitë e tretësirave; Ekuacioni i Vant’ Hofit; Rëndësia biologjike e tretësirave; Trajtimi i ujit të pijshëm; Ndotja e ujit dhe pastrimi i ujit. Blloku tematik: Plotësime të temperaturës, Teorisë kinetike të gazeve dhe Termodinamikës. Në këtë bllok tematik studiohet: Bymimi linear dhe vëllimor; Gazi ideal; Ekuacioni i përgjithshëm i gazeve; Teoria kinetike e gazeve dhe parimet e saj; Ekuacioni themelor i teorisë molekulare kinetike të gazeve; Shpejtësia mesatare kuadratike e gazeve; Marrëdhënia ndërmjet energjisë kinetike mesatare dhe temperaturës absolute; Gazet reale dhe ndryshimet fazore; Sublimimi; Avullimi; Shtypja e avullit; Vlimi; Lagështia; Energjia e brendshme e gazit; Procesi adiabatik dhe Entropia. Nxënësit interpretojnë, zbatojnë marrëdhëniet ndërmjet shkencës dhe teknologjisë, planifikojnë dhe kryejnë matje të thjeshta, vlerësojnë dhe zbatojnë rezultatet. Për të mbledhur informacionin dhe paraqitur atë, nxënësit përdorin burime, mënyra dhe pajisje të ndryshme. Blloku tematik: Larmia e qënieve të gjalla. Përmes këtij blloku tematik, nxënësit do të zhvillojnë njohuri, aftësi dhe qëndrime për larminë e qënieve të gjalla. Ata do të demonstrojnë të kuptuarit e këtij diversiteti bazuar në parimet taksonomike dhe filogjenike. Gjithashtu do të hetojnë përmes vëzhgimeve në terren apo veprimtarive laboratorike përfaqësues nga secila mbretëri, duke përdorur modelet dhe teknikat e duhura për klasifikimin e tyre. Mësimdhënia dhe mësimnxënia e larmisë së qënieve të gjalla do të zhvillojë tek ata, të menduarit kritik mbi rëndësinë e saj për funksionimin e ekosistemeve dhe vetë jetës.


Karriera dhe Aftësimi për Jetën 10

Programi edukim për karrierën synon t’iu japë nxënësve njohuri dhe shprehje për të kapërcyer vështirësitë që u dalin në jetë, për mënyrën se si duhet të jetojnë jetën e tyre, për të larguar frikën se nuk do të realizojnë ëndrrat në raport me aftësitë, në zgjedhjet që do të bëjnë në lidhje me profesionin apo zanatin që do të marrin për t’u ndjerë sa më të sigurtë në vendimmarrjen që do të bëjnë lidhur me të ardhmen e tyre. Nxënësit do të kuptojnë që formimi i karrierës së tyre është një dukuri që zgjat gjatë gjithë jetës në përputhje me kërkesat e tregut të punës, për të qenë sa më të aftë në zgjedhjet e tyre në raport me sfidat e përditshme.


Karriera dhe Aftësimi për Jetën 11

Lënda “Edukim për Karrierën” do t’iu japë nxënësve njohuri dhe shprehi për të kapërcyer në kohë vështirësitë që u dalin për të zbuluar pasionet dhe aftësitë intelektuale që ata kanë. Kjo lëndë i ndihmon gjithashtu nxënësit në zgjedhjet që do të bëjnë për tu ndjerë më të sigurt dhe për të marrë një vendim sa më të informuar dhe të bazuar lidhur me të ardhmen e tyre.


Karriera dhe Aftësimi për Jetën 12

Nëpërmjet kësaj lënde nxënësit arrijnë të zhvillojnë aftësinë për të hulumtuar botën e punës, si dhe mundësitë për kualifikim të mëtejshëm, si një parakusht për arritjen e një vendimmarrje të studiuar mirë gjatë karrierës së tyre si një proçes i pandërprerë. Nxënësit aftësohen të hartojnë dhe të përshtatin planet për të udhëhequr ndryshimin dhe tranzicionin.


Qytetari 10

Ky program përfshin një tërësi konceptesh dhe vlerash themelore që janë të përbashkëta për të gjitha demokracitë moderne. Nëpërmjet trajtimit të problemeve të lidhura me organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë synohet që nxënësi të përvetësojë njohuri dhe aftësi intelektuale të domosdoshme për të kuptuar, analizuar dhe për të ndikuar në politikat sociale dhe në zbatimin e tyre. Gjithashtu lënda ka për qëllim t’i ndërgjegjësojë nxënësit për t’u bërë qytetarë aktivë të përgjegjshëm në komunitetin e tyre, t’i aftësojë ata për të marrë vendime të arsyeshme në dobi të zhvillimit të pandërprerë të shoqërisë demokratike.


Qytetari 11

Programi “Qytetari 11” është vazhdim i programit “Qytetari 10”. Synimi themelor i tij është edukimi i nxënësve me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Ky program synon harmonizimin e tri elementëve: njohurive të reja, aftësive intelektuale dhe prirjeve qytetare, të cilat ndikojnë në edukimin e mëtejshëm demokratik të nxënësve. Temat trajtohen duke gërshetuar formimin teorik me shprehitë praktike për të ndikuar kështu në forcimin e ndërgjegjes qytetare tek të rinjtë. Ato ndihmojnë zhvillimin e frymës së debatit të shëndetshëm dhe aftësimin e nxënësve për të marrë vendimet e duhura në sfidat e përditshme.


Histori 10

Programi i kësaj lënde synon të analizojë ngjarjet kryesore të historisë njerëzore nga antikiteti dhe mesjeta. Ky program jep një tablo të qartë të zhvillimeve historike për lindjen e jetës në tokë, lindjen e shoqërive antike dhe kalimin nga antikiteti në mesjetë. Lënda përfshin koncepte të rëndësishme për formimin e monarkive kombëtare në europën perëndimore. Rëndësi të madhe ka analiza e marrëdhënieve ndërmjet lindjes dhe perëndimit gjatë mesjetës.


Histori 11

Programi i kësaj lënde synon të analizojë ngjarjet historike duke filluar nga rilindja e vonë europiane deri në ditët tona. Rëndësi të madhe kanë analizat e disa ngjarjeve që mund ti quajmë përcaktuese në kursin e historisë botërore. Në këtë këndvështrim përmendim analizat e revolucioneve borgjeze, angleze dhe franceze, periudhën e iluminizmit, lindjen e rrymave ideore dhe politike gjatë shekullit të XIX dhe 2 konfliktet botërore. Nëpërmjet këtij programi nxënësit përvetësojnë konceptet bazë të periudhës historike të pasluftës së II-të Botërore.


Histori 12

Nëpërmjet kësaj lënde synohet të jepet një tablo e plotë e historisë kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Diasporë për të gjitha periudhat nga lashtësia deri në ditët tona, e integruar me historinë botërore. Lënda përfshin njohuri nga bota ilire, shtete dhe të dhëna mbi popullsinë ilire; shqiptarët gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine; Epoka e Skënderbeut; Periudha e pushtimit osman; Rilindja Kombëtare; Periudha e Pavarësisë, Lufta e 1 dhe e 2 Botërore dhe të dhëna për historinë e shqiptarëve jashtë kufijve.


Gjeografi 11

Synon njohjen e kompleksitetit natyrorë dhe humanë të rajoneve e nënrajoneve të ndryshme të botës. Ajo zhvillon aftësitë për të gjetur zgjidhje dhe për të mbajtur qëndrime mbi proçeset, dukuritë, modelet dhe marrëdhëniet midis tyre, gjithashtu parashikon sfidat dhe ndërvarësitë rajonale botërore.


Gjeografi 12

Kjo gjeografi ka për synim të studiojë natyrën, popullsinë dhe ekonominë e trevave shqipëtare, lidhjen e ndërsjelltë ndërmjet natyrës dhe zhvillimit të organizimit hapësinor të veprimtarisë jetësore e prodhuese të shoqërisë, si dhe studimin tërësor të rajoneve gjeografike shqiptare.


Ekonomia Bazë 12

Lënda Ekonomia Bazë zhvillohet në klasën e 12-të. Ekonomia Bazë studion problemin bazë të ekonomisë “pamjaftueshmërinë”. Ajo merret me studimin e kërkesës dhe ofertës dhe çmimin e tregut. Analizohet fillimi i një biznesi dhe financimi i tij. Nxënësit duhet të listojnë dhe krahasojnë format e ndryshme të financimit. Prodhimi, kostoja dhe të ardhurat marrin rëndësi të veçantë në zhvillimin e lëndës. Në fokus të studimeve qëndrojnë strukturat e tregut. Monopoli, oligopoli, konkurenca monopolostike dhe konkurenca perfekte krahasohen me njërin tjetrin mbi mënyrën e ciklimit të çmimit dhe sasisë së prodhuar. Funksionet e shtetit në Ekonomi dhe treguesit makroekonomike evidentohen nëpërmjet shembujve të ndryshëm.


Ekonomia e thelluar 12 (me zgjedhje)

Lënda Ekonomia me zgjedhje zhvillohet në klasën e 12-të. Së pari diskutohen qëllimet sociale të sistemeve ekonomike dhe krahasohen “ekonomia e centralizuar” dhe “ekonomia e tregut të lirë” me njëra tjetrën. Nëpërmjet paraqitjeve grafike gjykohet përcaktimi i çmimit ekuilibër dhe faktorët që çojnë në ndryshimin e tij. Zhvillimi i formulave për elasticitetin e kërkesës dhe ofertës në lidhje me çmimin merr rëndësi të veçantë së bashku me faktorët përcaktues. Krahasohen strukturat e tregut dhe analizohen paraqitjet grafike përkatëse. Përcaktimi i pagës në tregje të ndryshme pune diskutohet gjerësisht. Marrin rëndësi tema si: Oferta Monetare; Politika Monetare; Produkti i Brendshëm Bruto; Papunësia dhe Inflacionet. Konceptet makroekonomike studiohen të lidhura me njeri tjetrin. Së fundmi Integrimi Europian merr rëndësi të veçantë në studimin e lëndës Ekonomia me zgjedhje.


TIK 10

Lënda Teknologji Informacioni dhe Komunikimi u ofron nxënësve njohuri në përdorimin e kompjuterit dhe internetit. Ky program është organizuar për të afruar nxënësit me kompjuterin dhe internetin në mënyrë korrekte dhe të sigurt. Formimi i përhershëm është një bosht i sistemit formues të projektuar dhe të parashikuar për qytetarinë dixhitale europiane. Njohuritë bazë (alfabetizmi), formimi cilësor dhe njohja e mjeteve teknologjike janë supozuar per aktivizimin e një rrethi virtuoz që i lejon qytetarit dixhital të përfitojë të gjitha karakteristikat që e bëjnë konkurues dhe të pavarur. Lënda përfshin njohuri mbi bazat e Teknologjisë së Informacionit, menaxhimin e funksioneve bazë të sistemit operativ, një qasje të thelluar në programet bazë të paketës Microsoft Office dhe mbyllet me Internet & Networking. Përmes përmbajtjes së programit nxënësit do të pajisen me aftësitë e nevojshme jo vetëm për të njohur kompjuterin dhe pjesët përbërëse të tij, por edhe konceptet dhe njohuritë në lidhje me programet kryesore të kompjuterit që përdoren më shumë sot.


TIK 11 Bërthamë

Programi është strukturuar në mënyrë të tillë që të mund të favorizojë aftësitë individuale të nxënësve në fusha të ndryshme të teknologjisë. Lënda prezanton nxënësit me njohuritë bazë të programimit në C. Nxënësi njihet me strukturën e një kodi, deklarimin e variablave, leximin dhe afishimin e të dhënave, funksionet, klasat, libraritë…etj. Në këtë mënyrë mund të realizohen programe të strukturuara duke përdorur funksione të caktuara. Microsoft Publisher është një program desktop publikimi i cili shërben për realizimin profesional dhe shpejt të njoftimeve, faqe web-i, broshura, kataloge, fletëpalosje, kartolina, ftesa, letra përshëndetëse, karta biznesi, kartvizita, zarfa, logo, çertifikata, kalendarë, menu…etj. Të gjitha më lart të përmendura mund të printohen ose të përdoren si web ose e-mail publikime. Gjithashtu trajtohen konceptet bazë të përpunimit të bazave të të dhënave, elementët bazë, strukturimin e një database, realizimin e querie, forms dhe raporte të caktuara. Programi mbështetet në baza materiale didaktike, laboratorike moderne.


TIK 11 Avancuar

Lënda është e strukturuar me njohuri të avancuara rreth Web Design dhe gjuhëve të larta të programimit si C++. Programi prezanton nxënësit me projektimin e faqeve Web duke e njohur atë me sintaksat HTML, CSS dhe Javascript. Në këtë lëndë jepen konceptet elementare të programimit në C++. Synohet që të aftësojë nxënësit të kuptojnë fazat e krijimit të një programi, siç janë njohja dhe analiza e problemit, krijimi i algoritmit përkatës, hartimi i kodit të programit, ekzekutimi dhe testimi i tij. Nëpërmjet algoritmeve nxënësit zhvillojnë arsyetimin logjik pa u ngarkuar me probleme të vështira programimi. Programi realizohet me bazë materiale didaktike dhe veçanërisht laboratorit duke konkretizuar të gjitha njohuritë. Me njohuritë e fituara nxënësit mund të thellohen dhe zgjerohen për njohuri të tjera jashtë programit, pa ndjerë vështirësi.


Teknologjia 12 Bërthamë

Programi i lëndës Teknologji 12 synon: pajisjen e nxënësve me njohuri, aftësi dhe teknika të konsoliduara dhe të zgjeruara, të një niveli më të lartë se ato të fituara më parë, të cilat janë bazë për arsimimin e lartë universitar. Programi përmban linjat kurrikulare bërthamë të studimit, të detyrueshme për të gjithë nxënësit. Me anë të kësaj lënde synohet që nxënësit: të kontribuojnë në një edukim të balancuar, duke iu dhënë nxënësve një përvojë të gjerë dhe sfiduese; duke u krijuar mundësi atyre të fitojnë një grup njohurish, kuptimesh, aftësish njohëse e manipuluese dhe kompetenca; duke i përgatitur në këtë mënyrë që të jenë pjesëmarrës krijues në një botë teknologjike; t’u krijojë mundësi nxënësve të integrojnë këto njohuri dhe shkathtësi/ shprehi, së bashku me cilësitë për hulumtim dhe mendim refleksiv; për gjetjen e zgjidhjeve për problemet teknologjike, me vëmendjen e duhur ndaj çështjeve të sigurisë dhe ruajtjes së mjedisit; të lehtësojë zhvillimin e aftësive të komunikimit, që do t’i nxisin nxënësit të shprehin aftësitë e tyre krijuese në mënyrë praktike dhe me imagjinatë, duke përdorur shumëllojshmëri formash: fjalët, grafikët, modelet etj; të sigurojë një kontekst, në të cilin nxënësit mund të zbulojnë dhe vlerësojnë ndikimin e teknologjive në ekonomi, në shoqëri dhe në mjedis në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.


Aplikime Kompjuterike 11

Në këtë lëndë nxënësit mësojnë dy programe kompjuterike Adobe Photoshop, Sketchup. Programi Adobe Photoshop apo (Foto punishtja "Adobe") është një program kompjuterik që lejon manipulime të fotografive. Me anë të programit Adobe Photoshop nxënësit do të mësojnë makinerinë e veglave informatike, që është një punishte e ndarë në laboratorë të ndryshëm për përpunimin, transformimin, transportimin dhe regjistrimin e veglave grafikore. Programi ndër të tjerat bën një pasqyrim të laboratorit të fotografisë me disa funksione plotësuese vizuale që mundësojnë përpunimin e fotografisë me metoda të zhvilluara. Me ndihmën e veglave të programit mundësohet përcjellja e të dhënave tek aparatet periferike si printeri, kamera…etj. Programi Sketchup është një mjet i fuqishëm modelimi në 3D. Me anë të këtij programi nxënësit do të mësojnë konceptet bazë, të cilat lejojnë dizenjuesit dhe planifikuesit të komunikojnë konceptet komplekse 3D. Programi me anë të komandave të specializuara u meson nxënësve të modelojnë forma organike dhe të simulojnë zhvendosje filmike. Nxënësit do të mësojnë gjithashtu të importojnë modele nga aplikacione të tjera dhe t’i eksportojnë modelet SketchUp në programe: 2D, 3D,(si AutoCAD, 3D-Max…etj) si edhe në aplikacione filmike.


Aplikime Kompjuterike 12

Në këtë lëndë nxenesit mësojnë programet: Adobe Illustrator dhe Adobe Dreamweaver. Programi Adobe Illustrator është një program komjuterik i krijuar nga paketa e Adobe System, ku nxënësit do të mësojnë ndërtimin e objekteve të ndryshme bazuar në vektorët grafikorë. Adobe Illustrator është një instrument perfekt, ku nxënësit do përdorin të gjitha llojet e vizatimeve si: vizatimet e faqeve web, vizatimet mekanike, vizatimet elektronike…etj. Ky program shërben për krijimin e posterave duke rritur kreativitetin e nxënësve në përdorimin e ngjyrave dhe përpunimin e tyre, mjeteve të vizatimit, si dhe me efektet gradient të ndryshëm. Programi Adobe Dreamweaver është një program që merret me zhvillimin dhe dizenjimin e faqeve web dhe me zhvillimin e aplikimit që ofron një editor vizual WYSIWYG (të referuara pikëpamjes se Dizajnit), ka një kod redaktor me tiparet e standarteve të tilla si theksim të sintaksës, përfundim të kodit..etj. Ky program lehtëson projektimin e shpejtë dhe gjenerimin e koduar që lejon përdoruesin për të krijuar dhe manipuluar paraqitjen e elementeve HTML nga ana grafikore pa përdorur sintaksa. Programi Adobe Dreamweaver përmban një shfletues të integruar për të paraparë webpage-s e zhvilluara. Ai siguron transferim dhe sinkronizim të karakteristikave në server.