Elektronika


Qëllimet e arsimit profesional drejtimi Elektronikë: Aftësimi i përgjithshëm teorik i nxënësve; Aftësimi i përgjithshëm profesional i nxënësve; Mundësia e punësimit të nxënësve; Arsimimi i mëtejshëm i nxënësve (arsimi i lartë). Qëllimi i arsimit profesional për drejtimin Elektronikë është përgatitja e nxënësit nga ana teorike dhe praktike nëpërmjet lëndëve teorike bazë, atyre profesionale, laboratorëve dhe praktikës profesionale për të qenë të aftë të punësohen në fushat që përgatit ky specialitet si: Teknologji e Informacionit; Telekom-Radiotelevizion. Përgatitja që mer nxënësi në tërësi i jep mundësi për të ndjekur arsimin e lartë në shumë fusha. Përgatitja cilësore teorike dhe praktike i mundëson nxënësit në: a) Njohjen e pajisjeve të fushës së elektronikës; b) Përdorimin e pajisjeve të fushës së elektronikës; c) Mirëmbajtien e pajisjeve të fushës së elektronikës; d) Riparimin e pajisjeve të fushës së elektronikës; e) Programimin e pajisjeve të fushës së elektronikës; f) Instalim programesh në pajisjet e fushës së elektronikës.


Aftësimi i përgjithshem teorik i nxënësve

Në përfundim të arsimit profesional katër-vjeçar nxënësi ka përvetësuar këto aftësi: Nëpërmjet lëndëve të kulturës së përgjithëshme fiton shprehi të komunikojë qartë me shkrim dhe me gojë për të argumentuar opinionet për çështje të ndryshme; Nëpërmjet njohurive të qëndrueshme të fituara në shkencat ekzakte di të interpretojë dukuritë dhe ti përgjithësojë ato; Nëpërmjet projekteve njihet me punën në grup për të ndarë detyrat dhe zgjidhur ato.


Aftësimi i përgjithshëm profesional i nxënësve

Në përfundim të arsimit profesional nxënësi është aftësuar nga ana profesionale në: Sistemet kompjuterike; Arkitekturën hardwaer dhe software; Programimin në gjuhën C++ dhe Java; Administrimin e rrjetave kompjuterike; Rrjetat e telekomunikacionit; Formimin dhe transmetimin e sinjalit të zërit dhe figurës; Përdorimin e aparateve matës analog dhe dixhital; Të përdorë, mirëmbajë dhe riparojë pajisjet elektronike.


Mundësitë e punësimit të nxënësve

Përgatitja teorike dhe praktike i krijon hapësirë nxënësve të punësohen në shumë fusha: Bizneset e fushës së kompjuterave; Në institucione për mirëmbajtjen e rrjetave kompjuterike dhe pajisjeve kompjuterike; Në kompanitë e telefonisë fikse dhe të lëvizshme; Në mediat audiovizive; Në fushën e industrisë për të programuar makineritë dhe mirëmbajtur ato.


Arsimimi i mëtejshëm i nxënësve (arsimi i lartë)

Programi i shkollës është ndërtuar në mënyrë të tillë që nxënësi të ketë mundësi të konkurojë në të gjitha fushat e arsimit të lartë me prioritet ato inxhinierike.



Gjuha shqipe dhe Letërsia 10

Programi i kësaj lënde të integruar synon formimin sa më të plotë gjuhësor dhe letrar të nxënësve për t’i orientuar ata në një komunikim të përshtatshëm dhe shumëplanësh. Gjatë vitit nxënësit do të punojnë me tekste të shkruara letrare dhe joletrare, me tekste të folura dhe pamore, duke ndërthurur 5 fushat kryesore: Të lexuarit, Të shkruarit, Të folurit, Të degjuarit, Të vështruarit. Nxënësit mesojnë të vlerësojnë të lexuarin si mjet për zgjerimin e horizontit të tyre kulturor, të zbulojnë pasurinë e gjuhës shqipe në tekste të kryeveprave kombëtare dhe botërore, të analizojnë tekste nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore e periudhave dhe rrymave të ndryshme letrare.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 11

Programi i gjuhes shqipe dhe letersisë 11, duke qenë vazhdim i programit të klasës së 10-të, i rimerr njohuritë duke i zgjeruar dhe thelluar me tej ato. Synimi kryesor është përdorimi nga nxënësit i gjuhës dhe letërsisë në formate të ndryshme, me shkrim dhe me gojë. Lënda trajton: tekstin tregimtar, poetik, dramatik, shpjegues, argumentues si dhe forma të ndryshme mediatike. E veçanta është se këto “produkte” ata do t’i trajtojnë si tekste që mund të kuptohen, por edhe të “ndërtohen”. Nxënësit do të njohin dhe përvetësojnë në mënyrë aktive njohuri për letërsinë kombëtare dhe botërore, do të zhvillojnë interesin për letërsine dhe do të aftësohen për kuptimin dhe vlerësimin kritik të informacionit.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 12

Programi i gjuhës shqipe dhe letersisë 12 synon zgjerimin dhe thellimin e njohurive të mëparshme, duke pasur si objektiv që nxënësit të zbulojne aftesitë e domosdoshme për të marre pjesë në veprimtari praktike, diskutime, prezantime etj. Lënda përmban analiza të thelluara të teksteve të përzgjedhura nga veprat e letërsisë shqiptare e botërore, nëpërmjet të cilave nxënësit do të demonstrojnë të kuptuarit e koncepteve dhe njohurive për strategjitë e të lexuarit, do të indentifikojnë veçoritë e teksteve dhe do të reflektojnë për to. Në program zë vend puna kërkimore e cila synon zhvillimin e aftësive për të përdorur burime te ndryshme informative, strategji të larmishme në planifikimin dhe realizimin e shkrimeve të pavarura.


Gjuha Shqipe dhe Letërsia 13

Programi i lëndës është ndërtuar duke konsideruar objektivat dhe pritshmëritë akademike të nxënësve, por edhe për t’i ndihmuar ata të kenë një komunikim të saktë, korrekt e të përshtatshëm me shkrim dhe me gojë. Për të realizuar temat përdoren tekste nga letërsia shqiptare dhe botërore dhe tekste akademike. Kjo u jep mundësi nxënësve të praktikojnë strategji të larmishme të të lexuarit por edhe të studimit; të thellohen në proçeset e të menduarit për të arritur objektivat e duhura; të reflektojnë mbi mënyrat që ata përdorin për të kuptuar dhe monitoruar veten; të harmonizojnë leximin me shkrimin dhe të përdorin drejt të shkruarit; të zhvillojnë të menduarit kritik dhe krijues; të përdorin teknologjinë si mjet të rëndësishëm për të zhvilluar më tej studimin akademik dhe për të qenë të suksesshëm.


Anglisht 10

Metoda e përdorur është “New Inside Out”- New edition, në nivelet Pre-Intermediate dhe gjysma e nivelit Intermediate. Ky nivel ka për qëllim të konsolidojë dijet e marra në shkollën 9-vjeçare duke e vendosur nxënësin në një platformë dhe këndvështrim të ri për angazhimin e tërësishëm të tij në planin intelektual dhe emocional për ta vënë atë në shërbim të ambicjeve të tij në përvetësimin e kësaj gjuhe si dhe në funksion të dijeve në lëndë të tjera që mësohen në këtë shkollë. Nxënësi konsolidon në këtë stad reflekset gjuhësore në aspektet lexim, shkrim, dëgjim dhe stimulohet në të folur.


Anglisht 11

Metoda është “New Inside Out” New Edition me pjesën e dytë të nivelit Intermediate dhe tërësisht nivelin Upper Intermediate. Puna është konceptuar si vazhdim i punës së nisur në vitin e mëparshëm. Puna synon në një balancim e përfshirje të natyrshme në mësimin e një gjuhe të re mbi një këndvështrim analitik ku nxënësi nxitet të verë re më shumë aspekte komplekse të gjuhës. Nxënësi në këtë fazë kupton një tekst kompleks qartë, komunikon mbi të dhe di gjithashtu të ndërtojë një tekst mbi një spektër të caktuar problemesh. Ai bëhet dëgjues i mirë dhe në përfundim të vitit shkollor është i gatshëm të përballojë kërkesat e nivelit standart B-2 të CEF (Common European Frame).


Anglisht 12

Nxënësi përmbyll kërkesat e ciklit të plotë të metodës “New Inside Out” New edition përmes fokusimit në punën me nivelin Advanced. Nxënësi këtu rishikon në mënyrë harmonike e praktike tërë elementet e kompleksit gjuhësor dhe është i gatshëm të krijojë e interpretojë koncepte nga pikëpamja formale. Nxënësi ndjen tashmë kënaqësinë e tërë punës së kryer duke i mëshuar më shumë punës individuale dhe konsultave gjuhësore qofshin ato brenda apo jashtë orës së mësimit në takimet e hapura të klubit të Anglishtes.


Anglisht 13

Specifika kurrikulare e shkollës tonë krijon mundësinë për zhvillim më të avancuar gjuhësor në drejtim të komunikimit publik me shkrim dhe me gojë. Nxënësi perfeksionohet në teknikat e korespodencës me letrat zyrtare, ai futet dhe zhvillon bazat e teknikave të të shkruarit duke konsoliduar elementë të tillë si shkrimi i raporteve, eseve të llojeve të ndryshme si dhe stërvitet të përballojë nivelet më të mira të të folurit publik para audiencave të gjera. Standarti i punës në këtë fushë është ai i vendosur nga British Council. Në përfundim të këtij cikli, nxënësi përballon në nivel të lartë kërkesat universitare mbi njohjen e gjuhës angleze brenda dhe jashtë vendit.


Qytetari 10

Ky program përfshin një tërësi konceptesh dhe vlerash themelore që janë të përbashkëta për të gjitha demokracitë moderne. Nëpërmjet trajtimit të problemeve të lidhura me organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë synohet që nxënësi të përvetësojë njohuri dhe aftësi intelektuale të domosdoshme për të kuptuar, analizuar dhe për të ndikuar në politikat sociale dhe në zbatimin e tyre. Gjithashtu lënda ka për qëllim t’i ndërgjegjësojë nxënësit për t’u bërë qytetarë aktivë të përgjegjshëm në komunitetin e tyre, t’i aftësojë ata për të marrë vendime të arsyeshme në dobi të zhvillimit të pandërprerë të shoqërisë demokratike.


Qytetari 11

Programi “Qytetari XI” është hartuar në vazhdim të programit “Qytetari X”. Synimi themelor i tij është edukimi i nxënësve me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Ky program synon harmonizimin e tri elementëve: njohurive të reja, aftësive intelektuale dhe prirjeve qytetare, të cilat ndikojnë në edukimin e mëtejshëm demokratik të nxënësve. Temat trajtohen duke gërshetuar formimin teorik me shprehitë praktike për të ndikuar kështu në forcimin e ndërgjegjes qytetare tek të rinjtë. Ato ndihmojnë zhvillimin e frymës së debatit të shëndetshëm dhe aftësimin e nxënësve për të marrë vendimet e duhura në sfidat e përditshme.


Karrierë dhe Aftësim për Jetën 12

Programi edukim për karrierën synon t’u japë nxënësve njohuri dhe shprehje për të kapërcyer vështirësitë që u dalin në jetë, për mënyrën se si duhet të jetojnë jetën e tyre, për të larguar frikën se nuk do të realizojnë ëndrrat e tyre në raport me aftësinë e tyre në zgjedhjet që do të bëjnë në lidhje me profesionin apo zanatin që do të marrin për t’u ndjerë sa më të sigurtë në vendimarrjen që do të bëjnë lidhur me të ardhmen e tyre. Nxënësit do të kuptojnë që formimi i karrierës së tyre është një dukuri që zgjat gjatë gjithë jetës në përputhje me kërkesat e tregut të punës, për të qenë sa më të aftë në zgjedhjet e tyre në raport me sfidat e përditshme.


Histori 11

Programi i kësaj lënde synon analizën e veçantë të ngjarjeve kryesore të historisë botërore nga Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Europiane e deri në ditët tona. Ky program shpjegon ndryshimet që kanë ndodhur në fushën politike, ekonomiko-shoqërore apo në fusha të tjera në periudha të ndryshme historike, në rajone dhe vende të ndryshme, duke identifikuar veçoritë specifike të zhvillimeve historike botërore.


Histori 12

Nëpërmjet kësaj lënde synohet të jepet një tablo e plotë e historisë kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në diasporë për të gjitha periudhat nga lashtësia nga ditët tona e integruar me historinë botërore. Lënda përfshin njohuri nga bota ilire, shtetet dhe të dhëna për popullsinë ilire; shqiptarët gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine; Epoka e Skënderbeut; Periudha e pushtimit osman; Rilindja Kombëtare; Periudha e Pavarësisë, Lufta e 1 dhe e 2 Botërore dhe të dhëna për historinë e shqiptarëve jashtë kufijve.


Shkencë Toke 10

Shkenca e Tokës synon njohjen dhe kuptimin e strukturës, dinamikës dhe sistemeve gjeofizike të Tokës, marrëdhëniet ndërmjet sistemeve, marrëdhëniet e Tokës me pjesën tjetër të universit si dhe ndërveprimin me aktivitetin njerëzor. Ajo zhvillon shpjegimet e dukurive themelore të gjeografisë fizike dhe gjeologjisë, përfshirë historinë e Tokës, tektonikën e pllakave, evolucionin e formave të tokës, të dhënat gjeologjike të Tokës, motin dhe klimën, si dhe një bazë njohje astronomike në funksion të kuptimit të dinamikës së Tokës.


Gjeografi 11

Gjeografia rajonale synon njohjen mbi kompleksitetin natyror e human të rajoneve e nënrajoneve të ndryshme të botës. Ajo zhvillon aftësitë për të gjetur zgjidhje dhe për të mbajtur qëndrime mbi proceset, dukuritë, modelet dhe marrëdhëniet midis tyre, gjithashtu parashikon sfidat dhe ndërvarësitë rajonale botërore.Gjeografia e Shqipërisë ka për synim të studiojë natyrën, popullsinë dhe ekonomine e trevave shqipëtare, lidhjen e ndërsjelltë ndërmjet natyrës dhe zhvillimit të organizimit hapësinor të veprimtarisë jetësore e prodhuese të shoqërisë si dhe studimin tërësor të rajoneve gjeografike shqipëtare.


Matematikë Bërthamë 10

Programi synon të sigurojë një formim të plotë teorik dhe praktik të nxënësve duke siguruar informim të mjaftueshëm matematik, për trajtimin në vijueshmëri të disiplinave të tjera.Trajton numrin dhe veprimet me numra, shprehjet shkronjore, elementë të gjeometrisë në plan, funksioni, vargu, ekuacionet dhe inekuacionet si dhe funksionin eksponencial dhe logaritmik.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 11

Programi synon të aftësojë nxënësit për të zotëruar e thelluar shprehitë e punës së pavarur, të modelojë matematikisht situata të jetës së përditshme. Programi trajton drejtëzën, funksionin dhe bashkësine e përcaktimit të tij, funksionin e anasjelltë. Në të trajtohen me hollësi elementë të trigonometrisë dhe zbatime të saj dhe gjeometria në hapësirë. Vend të rëndësishëm zë trajtimi i limitit të funksionit.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 12

Programi synon të pajisë nxënësit me njohuri dhe shprehi matematike të nevojshme për jetën dhe arsimimin e mëtejshëm, t’i aftësojë në zbatimin praktik të njohurive teorike të marra në shkollë. Programi trajton vazhdueshmërinë e funksionit, derivatin dhe zbatime të tij, numrin kompleks dhe integralet si dhe statistikë, kombinatorike dhe probabilitet.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 13

Ky program synon veç formimit dhe aftësimit teorik dhe praktik të nxënësve, përgatitjen e tyre për maturën shtetërore. Programi trajton gjeometrinë analitike, pjesën e konikëve (rreth, elips, hiperbolë, parabolë), kombinatorike, statistikë dhe probabilitet. Pjesa tjetër është përsëritja e lëndës për provimet e maturës shtetërore.


Informatikë – TIK 10

Në klasën e dhjetë nxënësit mësojnë këta elementë:Intro në kompjuter, Sistemet e operimit, Programet e paketës office 2007: Word, PowerPoint. Këto njohuri të trajtuara përgjatë pjesës së parë të vitit mësimor pasurohen me elementë nga interneti. Në pjesën e dytë trajtohen gjuhët e programimit dhe pikërisht gjuha Pascal.


Informatikë – TIK Bërthamë dhe i Avancuar 11

Në klasën e njëmbëdhjetë informatika ndahet në dy pjesë: Pjesa bërthamë dhe Pjesa me zgjedhje të detyruar. Në pjesën bërthamë trajtohen programet e paketës office 2007, Excel, Access. Në informatikën me zgjedhje trajtohen këto elementë: Gjuhët e programimit: Në pjesën e parë trajtohet gjuha HTML. Në pjesën e dytë trajtohen elementë nga gjuha C++


Fizikë Bërthamë 10

Fizika 10 synon aftësimin e nxënësve në trajtimin teorik dhe eksperimental të ligjeve bazë të mekanikës Njutoniane, duke i paraprirë formimit intelektual dhe teknik, profesional të tyre në përputhje dhe me aftësitë e tyre matematikore.


Fizikë Bërthamë dhe e Avancuar 11

Fizika 11 synon formimin e nxënësve me parimet themelore të termodinamikës, të elektrostatikës, magnetizmit, lëkundjeve dhe valëve duke i paraprirë koncepteve bazë të mekatronikës, elektronikës etj.


Fizikë e Avancuar 12

Kurrikula e kësaj lënde synon formimin e plotë teorik të nxënësve, pasi nxënësit fitojnë njohuri në fizikën moderne, duke i aftësuar ata plotësisht për të vazhduar më tej studimet e larta. Një vend të rëndësishëm, në programin e fizikës, zënë përforcimi dhe thellimi i njohurive që realizohen nëpërmjet: punëve laboratorike, që realizohen me cilësi në laboratorin e fizikës, punëve me projekte të realizuara edhe në klubin e fizikës, shkrimit të eseve shkencore, etj.


Kimi Bërthamë 10

Të kuptojë konceptet bazë më të rëndësishme të kimisë dhe të realizojë lidhjen e kimisë me dukuritë e jetes së perditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqerisë; Te jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth dukurive kimike, vetive të substancave me rëndësi praktike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vleresojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; Të mësojë te planifikojë dhe zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; Të përdorë teknologjine e informacionit dhe të komunikimit, si mjete për sigurimin dhe komunikimin e informacionit; Të përdorë njohuritë kimike në diskutimet në lidhje me natyrën, mjedisin dhe teknologjinë, në procesin e vendimarrjes si konsumator për të mbajtur një shëndet të mire dhe nxitur zhvillimin e qëndrueshëm;


Kimi Bërthamë 11

Të kuptojë konceptet bazë më të rëndësishme të kimisë dhe të realizojë lidhjen e kimisë me dukuritë e jetës së përditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqërisë; të jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth dukurive kimike, vetive të substancave me rëndësi praktike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vlerësojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; të mësojë të planifikojë dhe të zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; të familjarizohet me teknologjinë moderne në industrinë dhe inxhinierinë mjedisore; të fitojë eksperienca që do të ngjallin interesin për të bërë zgjedhjen e karierës në kimi.


Kimi e Avancuar 12

Të kuptojë konceptet kimike të programit dhe të realizojë lidhjen e tyre me dukuritë e jetës së përditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqërisë; të jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth substancave dhe dukurive kimike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vlerësojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; të planifikojë dhe zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; të familjarizohet me teknologjinë moderne në industri dhe në inxhinierinë mjedisore.


Biologji 10

Programi synon që nxënësi të marrë njohuritë kryesore për karakteristikat, ndërtimin dhe fiziologjinë e gjallesave. Nxënësit thellojnë njohuritë e tyre të marra nga shkolla 9- vjeçare në lidhje me sistemet e trupit të njeriut duke vëne theksin në funksionimin e këtyre sistemeve. Trashëgimia dhe gjenetika zënë një vend të rëndësishëm në program. Nxënësit marrin njohuri për ligjet në trashëgiminë e tipareve, për bioteknologjinë dhe klonimin. Ekologjia, komuniteti dhe marrëdhëniet në komunitet trajtohen si tema të lira me nxënësit duke synuar ndergjegjësimin e tyre për rolin e njeriut në mjedisin ku jetojmë, për ndikimin pozitiv dhe negativ të tij mbi botën bimore dhe shtazore.


Edukim Fizik 10 - 11

Lënda e edukatës fizike, bazuar tërësisht mbi konceptet dhe përmbajtjen e veprimtarisë lëvizore dhe sportit, do të përforcoje njohuritë e çdo nxënësi dhe do ti sigurojë atij pervoja, aftësi dhe njohuri të reja, të cilat do të zgjerojnë edhe me tej formimin kulturor, fizik e shëndetësor.Të zhvillojë tek nxënësit një shëndet të plotë në aspektet fizike, psikologjike, shpirtërore dhe shoqërore; të formojë aftësi dhe shprehi lëvizore të vlefshme për jetën.


Lojëra sportive me zgjedhje të lirë 12 – 13

Organizimi dhe realizimi i kësaj lënde do t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë efektet, jo vetëm në aspektin fizik e sportiv, por edhe në atë të marrëdhënieve midis njëri-tjetrit. Gjithashtu synon të demonstrojë elementët bazë të lojërave sportive (basketboll, volejboll, hendboll, futboll) për t’i ndërgjegjësuar që të merren me fiskulturë dhe sport.


Vizatim Teknik dhe AutoCAD 10

Lënda e Vizatimit Teknik dhe AutoCAd-it jepet me metodat më sociale të përfytyrimit të formave të sendeve apo objekteve të ndryshme të natyrës. Vizatimi bëhet me ose pa vegla të vizatimit teknik, me dorë të lirë në formën e skicës, e cila shërben për bërjen e shpejtë të paraqitjes grafike të sendit apo objektit natyror. Nëse bëhet me vegla, ajo mer formën e vizatimit të punës. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me paraqitjen e objekteve të ndryshëm me përmasat e dhëna të gatshme për tu prodhuar ose e anasjellta, kur vizatimi është i bërë, nxënësi të jetë në gjendje ta lexojnë atë, për të krijuar idenë dhe përfytyrimin rreth objektit të paraqitur. Në AutoCAD nxënësit mësojnë kryesisht se si bëhet e mundur realizimi i vizatimit të objekteve te ndryshëm natyror nëpërmjet kompjuterit në 2D (në plan) dhe 3D (ne hapësirë). Këto realizohen nëpërmjet mësimit të komandave kryesore të AutoCAD-it si dhe përfytyrimit të objekteve në hapësirë. Këto mbështeten tek praktika ku vazhdimisht bëhen ushtrime të ndryshme nga më të thjeshtat deri tek më të vështirat si nga pamjet deri tek vizatimet përmbledhëse etj.


Hyrje në Biznes 10

Nëpërmjet kësaj lënde synohet që nxënësi të marr njohuritë kryesore në fushën e biznesit duke filluar me rolet ekonomike që luan çdo individ në jetën e përditshme, (roli si konsumator, si punonjës dhe si qytetar për krijimin e së mirës së përgjithshme). Gjithashtu edhe rrugët më të efektshme për administrimin e të ardhurave dhe kursimeve me rrezik sa më të ulët dhe fitim sa më të lartë, mbrojtje me anë te sigurit kundrejt humbjeve ekonomike, si vepron ky sigurim dhe pse ai është i nevojshëm.


Elektroteknikë 11

Kjo lëndë e njohur ndryshe si “Bazat e llogaritjes së qarqeve elektrike”, është një nga lëndët bazë të formimit të teknikut elektronik, informatik. Ajo ka për qëllim të ngulisë konceptet bazë mbi madhësitë elektrike, ligjet kryesore që veprojnë në qarqet elektrike, sjelljen e këtyre qarqeve nën veprimin e një madhësie në hyrje, si edhe bashkëveprimin e elementëve të qarkut. Programi trajton qarqet bazë për rrymën e vazhduar dhe rrymën alternative sinusoidale, si sillen qarqet ndaj këtyre rrymave, dukuritë fizike që lindin në marrëdhëniet e këtyre burimeve me elementët e qarqeve elektronike, rezistencat aktive dhe rezistencat riaktive, bobina dhe kondesatorë. Programi përmban një cikël ushtrimesh ku krijohen shprehi praktike dhe vërtetohen dukuritë e trajtuara nga ana teorike. Lënda mbështetet me një cikël punësh laboratorike ku nxënësit i krijohet mundësia të njohë dhe përdor aparaturat matëse elektronike për të eksperimentuar dhe për të ndjekur nga ana vizuale dukuritë që ndodhin në këto qarqe.


Sisteme Dixhitale 11

Nëpërmjet këtij programi nxënësi pajiset me njohuri në fushën e elektronikës numerike dixhitale, mbi bazën e të cilave mbështeten të gjitha teknikat dixhitale për fusha si: Teknologjia e Informacionit, Telekomi dhe Radiotelevizioni. Jepen bazat e algjebrës së Boolit, kalohet në analizën dhe sintezën e qarqeve numerike të shkallës së mesme dhe të lartë të integrimit. Në këtë program nxënësi studion ndërtimin e qarqeve TTL dhe CMOS, dekoduesit, enkoduesit, teknologjinë e transformimit të të dhënave nga analog në dixhital e anasjelltas. Programi përmban ushtrime dhe punë laboratori që ndikojnë në përvetësimin e lëndës dhe formojnë nxënësin nga ana profesionale. Lënda mbështetet me një bazë materiale didaktike dhe pajisje laboratorike moderne.


Elektronikë 11, 12

Ky program i njeh nxënësit me elementët e elektronikës që marin pjesë në ndërtimin e të gjithë aparaturave elektronike. Elementë që trajtohen i përkasin teknologjisë së gjysëmpërçuesëve në gjithë gamën e përdorimit sot në fushën e elektronikës. Analiza e këtyre elementëve bëhet në rrugën grafo-analitike duke i trajtuar ata në shumicën e rasteve si elementë jo linear. Të gjithë elementët trajtohen të integruar në skema elektronike për të zgjidhur problemet e ndryshme në përpunimin e sinjaleve analog dhe dixhital. Temat shoqërohen me ushtrime dhe punë laboratorike të cilat ndihmojnë në përvetësimin e lëndës dhe aftësimin shkencor e profesional tek nxënësit. Lënda mbështetet me një bazë materiale didaktike dhe pajisje laboratorike moderne.


Arkitekturë Kompjuteri 12

Lënda studion sistemet kompjuterike që janë sot në themel pothuajse të të gjithë zbatimeve në fushën e elektronikës, në fushën e telekomunikacionit, për sistemet e kontrollit të komandimit etj. Në fushën e kompjuterave vihet re një zhvillim i shpejtë dhe nje zgjerim shumëllojshmërisë së sistemeve kompjuterike. Nxënësit pajisen me njohuri që i lejojnë të operojnë, të përshtaten shpejt me sistemet kompjuterike dhe zbatimet e mbështetura mbi to. Lënda synon të shtjellojë arkitekturën hardware dhe software. Përshkrimi i sistemit bëhet duke analizuar strukturën, lidhjen e komponentëve dhe veprimin e secilit prej tyre. Lënda mbështetet me një bazë material didaktike dhe pajisje laboratorike moderne.


Programim (C++,Java) 12, 13

Programi i lëndës synon që nxënësit të përfitojnë njohuritë bazë në fushën e programimit: në gjuhët C++ dhe Java duke trajtuar konceptet bazë të programimit në to. Lënda trajton variablat dhe tipet e tyre, leximin dhe afishimin e të dhënave, klasat, funksionet, libraritë standarte dhe tabelat. Në vazhdim lënda trajton konceptet themelore në lidhje me pointerat, aplikime në Visual C++, programe të ndryshme grafike në Java. Nxënësit arrijnë të kompletojnë njohuritë në këtë fushë dhe aftësohen më tej në fushën e programimit. Programi mbështetet me bazë materiale didaktike dhe laboratorike moderne.


Telekomunikacion 12, 13

Programi synon që nxënësit të përfitojnë njohuritë bazë mbi rrjetet e telekomunikacionit dhe shërbimet që ofrojnë sistemet e komunikimit. Në mënyrë të veçantë trajton strukturën e sistemeve të komunikimit, rëndësinë e standartizimeve dhe protokolleve në proçesin e komunikimit, teknikat e proçesimit të sinjaleve në mënyre analoge dhe dixhitale. Ky program trajton gjithashtu teknikat bazë të modulimit që mundësojnë transmetimin e bisedave telefonike në rrjetin e dixhitalizuar, teknologjitë kryesore të komunikimit dhe ndryshimet midis tyre dhe aplikimet kryesore të zbatuara në sistemet komjuterike. Programi synon të japë njohuritë bazë dhe për sistemet NGN (new generation networks), transmetimin e zërit në rrjetat e të dhënave VOI, transmetimet TV me teknologjinë IPTV. Temat shoqërohen me demostrime praktike dhe laboratorike.


Rrjeta Kompjuterike 13

Lënda synon që nxënësit të përfitojnë njohuritë kryesore mbi administrimin e rrjetave komjuterike, mbi komunikimin në sistemet kompjuterike dhe shërbimet që ofrojnë rrjetat komjuterike. Lënda trajton teknologjitë e aplikuara në rrjeta si Ethernet, rrjetat wireless dhe mediat e komunikimit të përdorura në to. Nxënësit njihen gjithashtu me pajisjet kryesore të përdorura në sistemet komjuterike, konfigurimet e tyre, analizën e studimin e performancës së rrjetit. Temat kryesore të lëndës trajtohen praktikisht me anë të simulimeve komjuterike. Gjithashtu do të merren njohuritë bazë mbi sigurinë e sistemeve të komunikimit.


Matje Elektronike 13

Lënda studion ndërtimin dhe përdorimin e aparateve matës elektronikë për matjen e madhësive të ndryshme elektronike dhe joelektronike. Lënda u jep mundësi nxënësve të përdorin aparatet matës për të eksperimentuar, mirëmbajtur dhe profilaksi të pajisjeve elektronike. Nxënësit mësojnë sensorë të ndryshëm për të bërë matje dhe mirëmbajtur aparatura të fushave të ndryshme si: mjekësore, ndërtimi, mekanike, të automobilave etj, ku aparatet matës elektronikë përdoren gjerësisht.


Baza të të dhënave – Principe (Data Baza) 13

Lënda studion sistemet “database” ku trajtohen konceptet dhe teknikat e manaxhimit të të dhënave, modelet e të dhënave, mjetet konceptuale për përshkrimin e tyre, si dhe principet e sistemeve “database”. Në veçanti trajtohen mënyrat e futjes dhe marrjes së informacionit në mënyrë të përshtatshme dhe efikase, njohuritë bazë mbi menaxhimin e informacionit, krijimin e strukturave dhe relacioneve të përdorura në sistemet “database” dhe mënyrat e skicimit. Lënda trajton konceptet bazë mbi mënyrat e hyrjes në databazë nga përdorues të ndryshëm, sigurinë e ruajtjes së informacionit dhe kontrollin ndaj ndërhyrjeve të paautorizuara.


Praktikë Profesionale 12, 13

Programi i praktikës nëpërmjet lidhjes së teorisë me praktikën aftëson nxënësit nga ana profesionale në mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e paisjeve elektronike në fusha si: Teknologji Informacioni, Telekom dhe Radiotelevizion. Praktika zhvillohet në laboratorët e shkollës të cilët janë të pajisur me vegla pune, bazë materiale elektronike eksperimentuese, aparatura matëse moderne dhe pajisje te fushave të përmendura më lart. Nxënësit ndërtojnë vetë blloqe të skemave elektronike, të cilat i kontrollojnë nëpërmjet aparateve matës dhe duke i riparuar nëse blloqet kanë difekte. Programi trajton edhe aparaturat e fushës së elektronikës për ti programuar dhe përdorur ato. Praktika vazhdon më tej me konfigurimin, menaxhimin dhe monitorimin e sistemeve kompjuterike (si servera Windows/Linux/Unix), rrjetat kompjuterike dhe rrjetat databazë.