Biznesi

 

Qëllimet e arsimit profesional në drejtimin mësimor “Biznes”

Qëllimi kryesor i arsimit profesional në drejtimin “Biznes” është përgatitja e nxënësve nga ana teorike dhe praktike nëpërmjet lëndëve teorike bazë, atyre profesionale, praktikave mësimore nëpër biznese, për të qenë të aftë të punësohen në fushat e këtij specialiteti si: ekonomist i përgjithshëm, ekonomist për financë-kontabilitet, menaxhim dhe marketing.

Në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Biznes”, nxënësi do të zotërojë këto aftësi të përgjithshme kryesore:

  • Të komunikojë në mënyrë korrekte me shkrim e me gojë për të shprehur mendimet e tyre, për të argumentuar opinionet për cështje të ndryshme.
  • Të përdorë burime dhe teknika të ndryshme të mbledhjes dhe të shfrytëzimit të informacioneve të nevojshme për zhvillimin e tij personal dhe profesional.
  • Të nxisë potencialin e tij të brendshëm në kërkim të vazhdueshëm për zgjidhje të reja më efektive dhe më efiçente.
  • Të manifestojë guxim dhe aftësi sipërmarrëse e menaxhuese për të ardhmen e tij.
  • Të respektojë parimet e punës në grup dhe të bashkëpunojë aktivisht në arritjen e objektivave të pranuara.

Aftësitë profesionale të nxënësve në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Biznes”

Në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Biznes”, nxënësi do të jetë i aftë të zhvillojë dhe të ushtrojë aftësi të tjera profesionale, si më poshtë:

  • Të hartojë një plan-biznesi për forma të ndryshme biznesi si: vetëpronësi, bashkëpronësi, korporatë prodhuese dhe tregtare.
  • Të vlerësojë rezultatet e pasqyrave financiare (bilancin, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve), si matës të suksesit së kompanisë. Të vlerësojë llogaritjet e kostove, me qëllim menaxhimin efektiv të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare.
  • Të zbatojë bazën ligjore që i referohet veprimtarive profesionale në biznes. Të analizojë të drejtat e detyrimet që duhet të zbatojnë ofruesit dhe konsumatorët në biznes.
  • Të zotërojë standartet teknike të profesionit.
  • Të zbatojë parimet e etikës gjatë veprimtarive profesionale.
  • Të analizojë tregun (tregun e produkteve, kërkesën, ofertën dhe sjelljen e konsumatorëve).
  • Të analizojë efektet mikro dhe makroekonimike në biznes.
  • Të përdorë teknologjinë e informimit dhe komunikimit për qëllime të profesionit, programin përkatës kompjuterik për menaxhimin e aktivitetit në ndërmarrje.

Mundësitë e punësimit dhe të arsimimit të mëtejshëm në përfundim të arsimit profesional drejtimi “Biznes”

  • Përfundimi me sukses i arsimit profesional, drejtimi biznes dhe specializimi në degët: financë kontabilitet, marketing dhe menaxhim, e pajis nxënësin me çertifikatën e punonjësit të kualifikuar profesional. Ky arsim profesional i jep nxënësit mundësi t’i drejtohet tregut të punës si punonjës i mesëm i kualifikuar për t’u punësuar në njësi ekonomike të ndryshme, për kryerjen e veprimtarive që lidhen me fushën e ekonomisë dhe biznesit.
  • Në përfundim te këtij kualifikimi nxënësi ka mundësi për vazhdimin e arsimit në nivelin e studimeve universitare.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 10

Programi i kësaj lënde të integruar synon formimin sa më të plotë gjuhësor dhe letrar të nxënësve për t’i orientuar ata në një komunikim të përshtatshëm dhe shumëplanësh. Gjatë vitit nxënësit do të punojnë me tekste të shkruara letrare dhe joletrare, me tekste të folura dhe pamore, duke ndërthurur 5 fushat kryesore: Të lexuarit, Të shkruarit, Të folurit, Të degjuarit, Të vështruarit. Nxënësit mesojnë të vlerësojnë të lexuarin si mjet për zgjerimin e horizontit të tyre kulturor, të zbulojnë pasurinë e gjuhës shqipe në tekste të kryeveprave kombëtare dhe botërore, të analizojnë tekste nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore e periudhave dhe rrymave të ndryshme letrare.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 11

Programi i gjuhes shqipe dhe letersisë 11, duke qenë vazhdim i programit të klasës së 10-të, i rimerr njohuritë duke i zgjeruar dhe thelluar me tej ato. Synimi kryesor është përdorimi nga nxënësit i gjuhës dhe letërsisë në formate të ndryshme, me shkrim dhe me gojë. Lënda trajton: tekstin tregimtar, poetik, dramatik, shpjegues, argumentues si dhe forma të ndryshme mediatike. E veçanta është se këto “produkte” ata do t’i trajtojnë si tekste që mund të kuptohen, por edhe të “ndërtohen”. Nxënësit do të njohin dhe përvetësojnë në mënyrë aktive njohuri për letërsinë kombëtare dhe botërore, do të zhvillojnë interesin për letërsine dhe do të aftësohen për kuptimin dhe vlerësimin kritik të informacionit.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 12

Programi i gjuhës shqipe dhe letersisë 12 synon zgjerimin dhe thellimin e njohurive të mëparshme, duke pasur si objektiv që nxënësit të zbulojne aftesitë e domosdoshme për të marre pjesë në veprimtari praktike, diskutime, prezantime etj. Lënda përmban analiza të thelluara të teksteve të përzgjedhura nga veprat e letërsisë shqiptare e botërore, nëpërmjet të cilave nxënësit do të demonstrojnë të kuptuarit e koncepteve dhe njohurive për strategjitë e të lexuarit, do të indentifikojnë veçoritë e teksteve dhe do të reflektojnë për to. Në program zë vend puna kërkimore e cila synon zhvillimin e aftësive për të përdorur burime te ndryshme informative, strategji të larmishme në planifikimin dhe realizimin e shkrimeve të pavarura.


Gjuha Shqipe dhe Letërsia 13

Programi i lëndës është ndërtuar duke konsideruar objektivat dhe pritshmëritë akademike të nxënësve, por edhe për t’i ndihmuar ata të kenë një komunikim të saktë, korrekt e të përshtatshëm me shkrim dhe me gojë. Për të realizuar temat përdoren tekste nga letërsia shqiptare dhe botërore dhe tekste akademike. Kjo u jep mundësi nxënësve të praktikojnë strategji të larmishme të të lexuarit por edhe të studimit; të thellohen në proçeset e të menduarit për të arritur objektivat e duhura; të reflektojnë mbi mënyrat që ata përdorin për të kuptuar dhe monitoruar veten; të harmonizojnë leximin me shkrimin dhe të përdorin drejt të shkruarit; të zhvillojnë të menduarit kritik dhe krijues; të përdorin teknologjinë si mjet të rëndësishëm për të zhvilluar më tej studimin akademik dhe për të qenë të suksesshëm.


Anglisht 10

Metoda e përdorur është “New Inside Out”- New edition, në nivelet Pre-Intermediate dhe gjysma e nivelit Intermediate. Ky nivel ka për qëllim të konsolidojë dijet e marra në shkollën 9-vjeçare duke e vendosur nxënësin në një platformë dhe këndvështrim të ri për angazhimin e tërësishëm të tij në planin intelektual dhe emocional për ta vënë atë në shërbim të ambicjeve të tij në përvetësimin e kësaj gjuhe si dhe në funksion të dijeve në lëndë të tjera që mësohen në këtë shkollë. Nxënësi konsolidon në këtë stad reflekset gjuhësore në aspektet lexim, shkrim, dëgjim dhe stimulohet në të folur.


Anglisht 11

Metoda është “New Inside Out” New Edition me pjesën e dytë të nivelit Intermediate dhe tërësisht nivelin Upper Intermediate. Puna është konceptuar si vazhdim i punës së nisur në vitin e mëparshëm. Puna synon në një balancim e përfshirje të natyrshme në mësimin e një gjuhe të re mbi një këndvështrim analitik ku nxënësi nxitet të verë re më shumë aspekte komplekse të gjuhës. Nxënësi në këtë fazë kupton një tekst kompleks qartë, komunikon mbi të dhe di gjithashtu të ndërtojë një tekst mbi një spektër të caktuar problemesh. Ai bëhet dëgjues i mirë dhe në përfundim të vitit shkollor është i gatshëm të përballojë kërkesat e nivelit standart B-2 të CEF (Common European Frame).


Anglisht 12

Nxënësi përmbyll kërkesat e ciklit të plotë të metodës “New Inside Out” New edition përmes fokusimit në punën me nivelin Advanced. Nxënësi këtu rishikon në mënyrë harmonike e praktike tërë elementet e kompleksit gjuhësor dhe është i gatshëm të krijojë e interpretojë koncepte nga pikëpamja formale. Nxënësi ndjen tashmë kënaqësinë e tërë punës së kryer duke i mëshuar më shumë punës individuale dhe konsultave gjuhësore qofshin ato brenda apo jashtë orës së mësimit në takimet e hapura të klubit të Anglishtes.


Anglisht 13

Specifika kurrikulare e shkollës tonë krijon mundësinë për zhvillim më të avancuar gjuhësor në drejtim të komunikimit publik me shkrim dhe me gojë. Nxënësi perfeksionohet në teknikat e korespodencës me letrat zyrtare, ai futet dhe zhvillon bazat e teknikave të të shkruarit duke konsoliduar elementë të tillë si shkrimi i raporteve, eseve të llojeve të ndryshme si dhe stërvitet të përballojë nivelet më të mira të të folurit publik para audiencave të gjera. Standarti i punës në këtë fushë është ai i vendosur nga British Council. Në përfundim të këtij cikli, nxënësi përballon në nivel të lartë kërkesat universitare mbi njohjen e gjuhës angleze brenda dhe jashtë vendit.


Qytetari 10

Ky program përfshin një tërësi konceptesh dhe vlerash themelore që janë të përbashkëta për të gjitha demokracitë moderne. Nëpërmjet trajtimit të problemeve të lidhura me organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë synohet që nxënësi të përvetësojë njohuri dhe aftësi intelektuale të domosdoshme për të kuptuar, analizuar dhe për të ndikuar në politikat sociale dhe në zbatimin e tyre. Gjithashtu lënda ka për qëllim t’i ndërgjegjësojë nxënësit për t’u bërë qytetarë aktivë të përgjegjshëm në komunitetin e tyre, t’i aftësojë ata për të marrë vendime të arsyeshme në dobi të zhvillimit të pandërprerë të shoqërisë demokratike.


Qytetari 11

Programi “Qytetari XI” është hartuar në vazhdim të programit “Qytetari X”. Synimi themelor i tij është edukimi i nxënësve me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Ky program synon harmonizimin e tri elementëve: njohurive të reja, aftësive intelektuale dhe prirjeve qytetare, të cilat ndikojnë në edukimin e mëtejshëm demokratik të nxënësve. Temat trajtohen duke gërshetuar formimin teorik me shprehitë praktike për të ndikuar kështu në forcimin e ndërgjegjes qytetare tek të rinjtë. Ato ndihmojnë zhvillimin e frymës së debatit të shëndetshëm dhe aftësimin e nxënësve për të marrë vendimet e duhura në sfidat e përditshme.


Karrierë dhe Aftësim për Jetën 12

Programi edukim për karrierën synon t’u japë nxënësve njohuri dhe shprehje për të kapërcyer vështirësitë që u dalin në jetë, për mënyrën se si duhet të jetojnë jetën e tyre, për të larguar frikën se nuk do të realizojnë ëndrrat e tyre në raport me aftësinë e tyre në zgjedhjet që do të bëjnë në lidhje me profesionin apo zanatin që do të marrin për t’u ndjerë sa më të sigurtë në vendimarrjen që do të bëjnë lidhur me të ardhmen e tyre. Nxënësit do të kuptojnë që formimi i karrierës së tyre është një dukuri që zgjat gjatë gjithë jetës në përputhje me kërkesat e tregut të punës, për të qenë sa më të aftë në zgjedhjet e tyre në raport me sfidat e përditshme.


Histori 11

Programi i kësaj lënde synon analizën e veçantë të ngjarjeve kryesore të historisë botërore nga Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Europiane e deri në ditët tona. Ky program shpjegon ndryshimet që kanë ndodhur në fushën politike, ekonomiko-shoqërore apo në fusha të tjera në periudha të ndryshme historike, në rajone dhe vende të ndryshme, duke identifikuar veçoritë specifike të zhvillimeve historike botërore.


Histori 12

Nëpërmjet kësaj lënde synohet të jepet një tablo e plotë e historisë kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në diasporë për të gjitha periudhat nga lashtësia nga ditët tona e integruar me historinë botërore. Lënda përfshin njohuri nga bota ilire, shtetet dhe të dhëna për popullsinë ilire; shqiptarët gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine; Epoka e Skënderbeut; Periudha e pushtimit osman; Rilindja Kombëtare; Periudha e Pavarësisë, Lufta e 1 dhe e 2 Botërore dhe të dhëna për historinë e shqiptarëve jashtë kufijve.


Shkencë Toke 10

Shkenca e Tokës synon njohjen dhe kuptimin e strukturës, dinamikës dhe sistemeve gjeofizike të Tokës, marrëdhëniet ndërmjet sistemeve, marrëdhëniet e Tokës me pjesën tjetër të universit si dhe ndërveprimin me aktivitetin njerëzor. Ajo zhvillon shpjegimet e dukurive themelore të gjeografisë fizike dhe gjeologjisë, përfshirë historinë e Tokës, tektonikën e pllakave, evolucionin e formave të tokës, të dhënat gjeologjike të Tokës, motin dhe klimën, si dhe një bazë njohje astronomike në funksion të kuptimit të dinamikës së Tokës.


Gjeografi 11

Gjeografia rajonale synon njohjen mbi kompleksitetin natyror e human të rajoneve e nënrajoneve të ndryshme të botës. Ajo zhvillon aftësitë për të gjetur zgjidhje dhe për të mbajtur qëndrime mbi proceset, dukuritë, modelet dhe marrëdhëniet midis tyre, gjithashtu parashikon sfidat dhe ndërvarësitë rajonale botërore.Gjeografia e Shqipërisë ka për synim të studiojë natyrën, popullsinë dhe ekonomine e trevave shqipëtare, lidhjen e ndërsjelltë ndërmjet natyrës dhe zhvillimit të organizimit hapësinor të veprimtarisë jetësore e prodhuese të shoqërisë si dhe studimin tërësor të rajoneve gjeografike shqipëtare.


Matematikë Bërthamë 10

Programi synon të sigurojë një formim të plotë teorik dhe praktik të nxënësve duke siguruar informim të mjaftueshëm matematik, për trajtimin në vijueshmëri të disiplinave të tjera.Trajton numrin dhe veprimet me numra, shprehjet shkronjore, elementë të gjeometrisë në plan, funksioni, vargu, ekuacionet dhe inekuacionet si dhe funksionin eksponencial dhe logaritmik.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 11

Programi synon të aftësojë nxënësit për të zotëruar e thelluar shprehitë e punës së pavarur, të modelojë matematikisht situata të jetës së përditshme. Programi trajton drejtëzën, funksionin dhe bashkësine e përcaktimit të tij, funksionin e anasjelltë. Në të trajtohen me hollësi elementë të trigonometrisë dhe zbatime të saj dhe gjeometria në hapësirë. Vend të rëndësishëm zë trajtimi i limitit të funksionit.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 12

Programi synon të pajisë nxënësit me njohuri dhe shprehi matematike të nevojshme për jetën dhe arsimimin e mëtejshëm, t’i aftësojë në zbatimin praktik të njohurive teorike të marra në shkollë. Programi trajton vazhdueshmërinë e funksionit, derivatin dhe zbatime të tij, numrin kompleks dhe integralet si dhe statistikë, kombinatorike dhe probabilitet.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 13

Ky program synon veç formimit dhe aftësimit teorik dhe praktik të nxënësve, përgatitjen e tyre për maturën shtetërore. Programi trajton gjeometrinë analitike, pjesën e konikëve (rreth, elips, hiperbolë, parabolë), kombinatorike, statistikë dhe probabilitet. Pjesa tjetër është përsëritja e lëndës për provimet e maturës shtetërore.


Informatikë – TIK 10

Në klasën e dhjetë nxënësit mësojnë këta elementë:Intro në kompjuter, Sistemet e operimit, Programet e paketës office 2007: Word, PowerPoint. Këto njohuri të trajtuara përgjatë pjesës së parë të vitit mësimor pasurohen me elementë nga interneti. Në pjesën e dytë trajtohen gjuhët e programimit dhe pikërisht gjuha Pascal.


Informatikë – TIK Bërthamë dhe i Avancuar 11

Në klasën e njëmbëdhjetë informatika ndahet në dy pjesë: Pjesa bërthamë dhe Pjesa me zgjedhje të detyruar. Në pjesën bërthamë trajtohen programet e paketës office 2007, Excel, Access. Në informatikën me zgjedhje trajtohen këto elementë: Gjuhët e programimit: Në pjesën e parë trajtohet gjuha HTML. Në pjesën e dytë trajtohen elementë nga gjuha C++


Fizikë Bërthamë 10

Fizika 10 synon aftësimin e nxënësve në trajtimin teorik dhe eksperimental të ligjeve bazë të mekanikës Njutoniane, duke i paraprirë formimit intelektual dhe teknik, profesional të tyre në përputhje dhe me aftësitë e tyre matematikore.


Fizikë Bërthamë dhe e Avancuar 11

Fizika 11 synon formimin e nxënësve me parimet themelore të termodinamikës, të elektrostatikës, magnetizmit, lëkundjeve dhe valëve duke i paraprirë koncepteve bazë të mekatronikës, elektronikës etj.


Fizikë e Avancuar 12

Kurrikula e kësaj lënde synon formimin e plotë teorik të nxënësve, pasi nxënësit fitojnë njohuri në fizikën moderne, duke i aftësuar ata plotësisht për të vazhduar më tej studimet e larta. Një vend të rëndësishëm, në programin e fizikës, zënë përforcimi dhe thellimi i njohurive që realizohen nëpërmjet: punëve laboratorike, që realizohen me cilësi në laboratorin e fizikës, punëve me projekte të realizuara edhe në klubin e fizikës, shkrimit të eseve shkencore, etj.


Kimi Bërthamë 10

Të kuptojë konceptet bazë më të rëndësishme të kimisë dhe të realizojë lidhjen e kimisë me dukuritë e jetes së perditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqerisë; Te jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth dukurive kimike, vetive të substancave me rëndësi praktike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vleresojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; Të mësojë te planifikojë dhe zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; Të përdorë teknologjine e informacionit dhe të komunikimit, si mjete për sigurimin dhe komunikimin e informacionit; Të përdorë njohuritë kimike në diskutimet në lidhje me natyrën, mjedisin dhe teknologjinë, në procesin e vendimarrjes si konsumator për të mbajtur një shëndet të mire dhe nxitur zhvillimin e qëndrueshëm;


Kimi Bërthamë 11

Të kuptojë konceptet bazë më të rëndësishme të kimisë dhe të realizojë lidhjen e kimisë me dukuritë e jetës së përditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqërisë; të jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth dukurive kimike, vetive të substancave me rëndësi praktike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vlerësojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; të mësojë të planifikojë dhe të zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; të familjarizohet me teknologjinë moderne në industrinë dhe inxhinierinë mjedisore; të fitojë eksperienca që do të ngjallin interesin për të bërë zgjedhjen e karierës në kimi.


Kimi e Avancuar 12

Të kuptojë konceptet kimike të programit dhe të realizojë lidhjen e tyre me dukuritë e jetës së përditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqërisë; të jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth substancave dhe dukurive kimike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vlerësojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; të planifikojë dhe zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; të familjarizohet me teknologjinë moderne në industri dhe në inxhinierinë mjedisore.


Biologji 10

Programi synon që nxënësi të marrë njohuritë kryesore për karakteristikat, ndërtimin dhe fiziologjinë e gjallesave. Nxënësit thellojnë njohuritë e tyre të marra nga shkolla 9- vjeçare në lidhje me sistemet e trupit të njeriut duke vëne theksin në funksionimin e këtyre sistemeve. Trashëgimia dhe gjenetika zënë një vend të rëndësishëm në program. Nxënësit marrin njohuri për ligjet në trashëgiminë e tipareve, për bioteknologjinë dhe klonimin. Ekologjia, komuniteti dhe marrëdhëniet në komunitet trajtohen si tema të lira me nxënësit duke synuar ndergjegjësimin e tyre për rolin e njeriut në mjedisin ku jetojmë, për ndikimin pozitiv dhe negativ të tij mbi botën bimore dhe shtazore.


Edukim Fizik 10 - 11

Lënda e edukatës fizike, bazuar tërësisht mbi konceptet dhe përmbajtjen e veprimtarisë lëvizore dhe sportit, do të përforcoje njohuritë e çdo nxënësi dhe do ti sigurojë atij pervoja, aftësi dhe njohuri të reja, të cilat do të zgjerojnë edhe me tej formimin kulturor, fizik e shëndetësor.Të zhvillojë tek nxënësit një shëndet të plotë në aspektet fizike, psikologjike, shpirtërore dhe shoqërore; të formojë aftësi dhe shprehi lëvizore të vlefshme për jetën.


Lojëra sportive me zgjedhje të lirë 12 – 13

Organizimi dhe realizimi i kësaj lënde do t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë efektet, jo vetëm në aspektin fizik e sportiv, por edhe në atë të marrëdhënieve midis njëri-tjetrit. Gjithashtu synon të demonstrojë elementët bazë të lojërave sportive (basketboll, volejboll, hendboll, futboll) për t’i ndërgjegjësuar që të merren me fiskulturë dhe sport.


Vizatim Teknik dhe AutoCAD 10

Lënda e Vizatimit Teknik dhe AutoCAd-it jepet me metodat më sociale të përfytyrimit të formave të sendeve apo objekteve të ndryshme të natyrës. Vizatimi bëhet me ose pa vegla të vizatimit teknik, me dorë të lirë në formën e skicës, e cila shërben për bërjen e shpejtë të paraqitjes grafike të sendit apo objektit natyror. Nëse bëhet me vegla, ajo mer formën e vizatimit të punës. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me paraqitjen e objekteve të ndryshëm me përmasat e dhëna të gatshme për tu prodhuar ose e anasjellta, kur vizatimi është i bërë, nxënësi të jetë në gjendje ta lexojnë atë, për të krijuar idenë dhe përfytyrimin rreth objektit të paraqitur. Në AutoCAD nxënësit mësojnë kryesisht se si bëhet e mundur realizimi i vizatimit të objekteve te ndryshëm natyror nëpërmjet kompjuterit në 2D (në plan) dhe 3D (ne hapësirë). Këto realizohen nëpërmjet mësimit të komandave kryesore të AutoCAD-it si dhe përfytyrimit të objekteve në hapësirë. Këto mbështeten tek praktika ku vazhdimisht bëhen ushtrime të ndryshme nga më të thjeshtat deri tek më të vështirat si nga pamjet deri tek vizatimet përmbledhëse etj.


Hyrje në Biznes 10

Nëpërmjet kësaj lënde synohet që nxënësi të marr njohuritë kryesore në fushën e biznesit duke filluar me rolet ekonomike që luan çdo individ në jetën e përditshme, (roli si konsumator, si punonjës dhe si qytetar për krijimin e së mirës së përgjithshme). Gjithashtu edhe rrugët më të efektshme për administrimin e të ardhurave dhe kursimeve me rrezik sa më të ulët dhe fitim sa më të lartë, mbrojtje me anë te sigurit kundrejt humbjeve ekonomike, si vepron ky sigurim dhe pse ai është i nevojshëm.


Hyrje në Biznes 10

Nëpërmjet kësaj lëndë nxënësit pajisen me njohuritë kryesore në fushën e biznesit duke filluar me rolet ekonomike që luan çdo individ në jetën e përditshme (roli si konsumator, si punonjës dhe si qytetar për krijimin e të mirës së përgjithshme). Në këtë lëndë trajtohen githashtu rrugët më të efektshme për administrimin e të ardhurave dhe kursimeve me rrezik sa më të ulët dhe fitim sa më të lartë, mbrojtje me anë të sigurimit kundrejt humbjeve ekonomike, si vepron ky sigurim dhe pse ai është i nevojshëm.


Praktikë Zyre 11

Nëpërmjet kësaj lënde nxënësit përgatiten me njohuritë e domosdoshme për të punuar në zyra. Kjo lëndë i pajisë ata me informacion të ditëve të sotme: njohuritë bazë të komunikimit, marrje vendimesh, zgjidhje të problemeve të ndryshme, menaxhim të stresit në punë, me vendin e punonjësit në zyrë dhe lidhjet e tij me mjedisin ku punon. Këtu mësohen proçedurat e punësimit, organizimi i punës, përgatitja e dokumentave të biznesit, mënyra e mbajtjes së dokumentave duke theksuar faktin që suksesi i punës varet nga krijimi i marrëdhënieve ndërpersonale të mira. Gjithashtu synohet të krijohet një ide e qartë për marrëdhëniet në grupin e punës, marrëdheniet me eprorin, mënyra e dhënies së prioriteteve në punë për t’u krijuar statisfaksione drejtuesve dhe mundësive që krijohen në favor të punonjësve.


Etikë Biznesi (Junior Achievement) 11

Programet e “JA” për shkollat e mesme janë zhvilluar duke vënë theksin parësor tek përmbajtja e studimeve sociale, lexim, shkrim dhe aftësitë. Nxënësit mësojnë konceptet themelore të biznesit dhe ato ekonomike, eksplorojnë interesat dhe mundësitë për karrierë dhe mësojnë parimet e rëndësishme të gadishmërisë në punë duke gërshetuar teorinë me praktikën.


Kontabilitet 11

Nëpërmjet kësaj lënde synohet që nxënësi të marrë njohuritë e nevojshme për kontabilitetin, njohjen me terminologjinë e tij e cila lidhet me karrierën e kontabilistit, të dijë njohuritë e nevojshme për karrierë në fushën e kontabilitetit e lidhur ngushtë kjo me aftësinë për të komunikuar. Gjithashtu kjo lëndë trajton marrjen pjesë në vendimet e biznesit, njohjen e terminologjisë së kontabilitetit e cila lidhet me sistemin kontabël të një biznesi shërbimi dhe tregtarë të organizuar përkatësisht si vetëpronësi dhe bashkëpronësi të koordinuara me praktikën ne këto drejtime si dhe demonstrimin e proçedurave që përdoren në një sistem kontabël të organizuar përkatësisht me vetëpronësi dhe bashkëpronësi.


Ekonomiks 11

Nëpërmjet kësaj lënde nxënësi pajiset me njohuritë kryesore të teorive mikroekonomike dhe makroekonomike. Ky program trajton edhe koncepte si: kërkesa, oferta, elasticiteti, ekuilibri i tregut, faktorët e tij, produktin e brendshëm të përgjithshëm, inflacioni, papunësia, politika fiskale, politika monetare, funksionet kryesore të bankave të nivelit të parë dhe të dytë. Nxënësit ushtrohen në paraqitjen grafike të koncepteve ekonomike, llogaritjen e pasqyrimit grafikë të ndikimit të koncepteve ekonomike dhe llogaritjen e pasqyrimit grafikë të ndikimit të faktorëve të ndryshëm në modele të ndryshme tregu.


Shoqëritë e nxënësve (Junior Achievement) 12

Lënda Shoqëritë e nxënësve mbështetet në 3 modele: a) Shoqëritë e nxënësve; b) Drejtues për një ditë; c) Aftësitë Sipërmarrëse. Qëllimi kryesor është aftësimi i nxënësve në hapjen e një shoqërie aksionere, zhvillimi i ideve për një produkt inovator, realizimi i produktit, shitja dhe blerja, regjistrimi i dokumentave financiare dhe nxjerrja e rezultateve. Nxënësit nëpërmjet “Drejtues për një ditë” duhet të jetojnë eksperiencën e menaxhimit të një biznesi. Lënda është mjaft tërheqëse dhe praktike.


Program Kompjuteri ACCES 12

Nëpërmjet kësaj lënde synohet që nxënësit të ndërtojnë Database të ndryshme në një program, të hedhin të dhenat në database, të përpunojnë informacionin dhe të nxjerrin informacionin e duhur sipas kushteve të përcaktuara më parë. Nxënësit aftësohen në njohjen e terminologjisë së programit dhe përdorimin e Printing Options.


Quick Books 12

Kjo lëndë i njeh nxënësit me programin Quick Books, një program kontabiliteti i rëndësishëm për mbajtjen e evidencës kontabël dhe shume i lehtë për tu përdorur. Lënda nëpërmjet orëve teorike, praktike dhe laboratorike do t’i njohë nxënësit me llojin e informacionit që nevojitet në një biznes dhe me mënyrën se si ky informacion mund të futet dhe të ruhet në një Quick Books. Përdorimi i Quick Books u mundëson nxënësve të aftësohen në krijimin e një biznesi, në regjistrimin e veprimeve të biznesit, nxjerrjen e raporteve si dhe paraqitjen grafike të tyre dhe analizën ekonomiko-financiare të biznesit.


Kontabilitet 12

Lënda zhvillohet në klasën e 12-të dhe është vazhdim i njohurive të marra në klasën e 11-të. Programi ruan të njëjtën linjë duke pajisur nxënësit me njohuri praktike dhe teorike kryesisht në kryerjen e një cikli kontabiliteti për forma të reja të biznesit që nuk janë trajtuar në klasën e 12-të si: Bashkëpronësi dhe Korporatë. Nxënësit marrin njohuri: për formimin, shpërbërjen dhe likuidimin e organizmave të biznesit, për blerjen e aktive të qëndrueshme dhe metodat e llogaritjes të amortizimit, për inventarin, llojet e inventarëve dhe metodat e llogaritjes së inventarit. Kontabiliteti i klasës 12-të u jep mundësi nxënësve të punojnë nesër si specialistë në këtë fushë.


Ekonomiks 12

Në klasën e 12-të trajtohen problemet makroekonomike të ekonomisë të një vendi. Kjo pjesë e ekonomisë përfshin: treguesit e inflacionit, tipet e inflacionit, tregues të papunësisë si dhe shkaqet për të cilat nxënësi arrin të identifikojë tipet e papunësisë, politikën fiskale, politikën monetare, modele të ndryshme ekonomike parë këto nga studjues të njohur në fushën ekonomike, bankat, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat dhe luhatjet makroekonomike. Të gjitha këto njohuri aftësojnë nxënësit të jenë zgjedhës të mirë në fushën e problemeve ekonomike. Ata arrijnë të krahasojnë, të vlerësojnë situatat ekonomike dhe influencat e faktorëve makroekonomike në një treg kombëtar.


Financë 12

Nëpërmjet lëndës së financës nxënësi merr konceptet kryesore dhe me të rëndësishme të financës si: sistemet financiare, tregjet financiare dhe ndërmjetësit financiare. Nxënësi duhet të njihet me funksionet e pasqyrave financiare dhe të jetë në gjendje ti interpretojë ato. Ai do të marrë njohuri mbi koncepte të rëndësishme të drejtimit të financës së një firme, kosto e kapitalit, strukturë kapitali, parimet e vlerësimit të aktiveve, riskun dhe drejtimin e tij dhe do të jetë në gjëndje të bëjë vlesësimin e letrave me vlerë, aksion, obligacion.


Praktikë Mësimore 12

Nëpërmjet kësaj lëndë synohet që nxënësi të interpretojë në mënyrë konkrete njohuritë e marra në lëndë të ndryshme teorike të specialitetit dhe t’i zbatojë dhe demonstrojë ato në biznesin e krijuar në sallën e praktikës-zyra mësimore. Qëllimet e kësaj lënde janë: përcaktimi i fushës së aktivitetit, krijimi i biznesit, proçedura e dokumentacionit të tij. Disa nga objektivat e nxënësve janë: organizimi i llogarisë që përdoret në një aktivitet të organizuar nga vetë ata deri në kryerjen e një cikli kontabiliteti, në zgjidhjen e situatave të ndryshme në një biznes, marrjen e vendimeve të cilat i përgatisin nxënësit që në të ardhmen të punojnë në një aktivitet konkret biznesi duke praktikuar zbatimin e gamës së shprehive të nevojshme për jetën e karrierën e tyre. Kjo lëndë u jep mundësi nxënësve të punojnë në vende pune që kërkojnë individë të kualifikuar në specialitetin e biznesit.


Program Kompjuteri (Financa 5) 13

Programi i kompjuterit përfshin njohuri të softeve të avancuara të nivelit profesional Financa 5. Nxënësit marrin njohuri në këtë fushë duke qenë të lidhur ngushtë me lëndën e tyre profesionale, sidomos me lëndën e kontabilitetit. Eshtë program i avancuar, nëpërmjet të cilit administrohen llogaritë e ndryshme financiare si dhe ndërtohen bilance të të gjitha llojeve dhe deklaratave për një biznes tregtar. Qëllimi i kësaj lënde është që nxënësit të mësojnë programet bashkëkohore që gjejnë përdorim të gjerë sot në çdo sektor të ekonomisë.


Financa 13

Kjo lëndë synon njohjen e nxënësve me burimet e fondeve me afat të shkurtër si : huatë me këste, huatë e hipotekës dhe kredia tregtare etj. Ajo gjithashtu synon njohjen kostos së kapitalit psh: koston e aksioneve të preferuar dhe të zakonshëm, buxhetimin e kapitalit (psh: vlerën aktuale neto apo normën e brendshme të fitimit), objektin e financave publike, të ardhurat publike, shpenzimet publike, klasifikimin e tatimeve, taksave, doganave dhe huave publike si dhe parimet e tyre. Gjithashtu synon hartimin e buxhetit të shtetit si dhe zbatimin e tij në vendin tonë.


Menaxhim 13

Synimi i kësaj lënde është marja e njohurive kryesore për menaxhimin duke u fokusuar në njohuritë dhe aftesitë kryesore të një menaxheri të suksesshëm. Kjo lëndë trajton me detaje pesë funksionet kryesore të menaxhimit që janë: planifikimi, drejtimi, zbatimi, stafi dhe kontrolli menaxherial. Gjithashtu nxënësit njihen me mënyrat e marrjes së vendimeve dhe strategjitë e ndryshme menaxheriale që përdoren për ecurinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të firmave të ndryshme. Pasi nxënësit kanë marrë njohuri teorike, zhvillojnë raste studimore të ndryshme ku zbatojnë njohuritë e fituara. Gjithashtu janë të aftë të analizojnë situata të menaxhimit të kompanive.


Marketing 13

Kjo lëndë trajton njohuritë bazë të marketingut duke dhënë principet bazë për çështje të rëndësishme. Në këtë lëndë përfshihen: kuptimi i marketingut dhe filozofitë e tij, planifikimi i marketingut, strategjitë e marketingut që duhet të ndjekin firmat, analizimi i mundësive të marketingut, zhvillimi i marketingut, seleksionimi i tregjeve, katër elementet e marketingut miks (produkti, çmimi, promocioni, shpërndarja), cikli i jetës së produktit, shitjet me shumicë dhe pakicë. Lënda e marketingut është e pajisur me libra bashkëkohorë dhe të pasur me shembuj duke i ndihmuar nxënësit në përvetësimin e plotë të lëndës, në zbatimin e teorive dhe në praktikat mësimore.


Statistikë 13

Synimi i lëndës është trajtimi i çështjeve që kanë lidhje me përdorimin e të dhënave dhe metodave statistikore në biznesin bashkëkohor. Kjo është lëndë simestrale dhe përfshin studimin e skemave dhe grafikëve, modën, medianën, devijacionin absolut dhe shpërndarjet diskrete dhe të vazhdueshme. Nxënësit përgatiten për përpunimin e të dhënave statistikore dhe interpretimin e tyre. Kjo lëndë i ndihmon ata në përdorimin e metodave statistikore dhe në zgjidhjen e problemeve të statistikës së biznesit. Nëpërmjet ushtrimeve komplekse nxënësit arrijnë të konkretizojnë të gjithë variablat e mësuar dhe të bëjnë një interpretim të tyre.


E drejta dhe legjislacioni 13

Në këtë lëndë nxënësit marrin njohuri kryesore për të drejtën në përgjithësi dhe detyrimet e kontratat, si një nga pjesët më kryesore për aktivitetet tregtare. Nxënësit mësojnë elementë të zotësisë juridike dhe zotësisë për të vepruar, mësojnë elementë të rëndësishëm si përbërësit e organeve drejtuese legjislative të një shteti. Ata studiojnë marrëdhëniet juridike civile, detyrimet, tipe të ndryshme kontratash, llojet e shoqërive, krijimi dhe likuidimi i tyre. Kjo lëndë shton dhe përmirëson bagazhin e tyre kulturor në fushën ekonomike.


Praktikë mësimore 13

Kjo lëndë synon që nxënësi të njohë proçedurat juridike të krijimit të një ndërmarjeje, të njohë parimet e organizimit dhe zhvillimit të ciklit të kontabilitetit, të njohë metodat e studimit të tregut, paraqitjen dhe përpunimin e të dhënave si dhe interpretimin e tyre. Nxënësi prezanton aktivitete reklame duke përdorur marketingun dixhital si newsletters, website..etj.Nëpërmjet këtij programi ai do të njohë proçedurat e punësimit dhe llogaritjen e pagës së tyre (të jenë në gjendje të njohin aftësitë e tyre në përzgjedhjen e karrierës), të hartojë një plan prodhimi, të përcaktojë pragun e prodhimit me ndihmën e analizës Break-Point dhe të realizojë nxjerjen e kostos së produktit të gatshëm.


Kontabilitet 13

Kjo lëndë synon që nxënësi të njihet me shoqeritë aksionere, kapitalin aksioner dhe përbërjen e këtij kapitali dhe me hartimin e deklaratave financiare për shoqëritë aksionere. Nxënësit njihen me buxhetin, planifikimin e tij, faktorët që ndikojnë në marrjen e vendimeve, bëjnë analiza financiare të treguesve afatgjatë dhe afatshkurtër në ecurinë e punës dhe në marrjen e vendimeve në shoqëritë aksionere. Ata njohin kompanitë prodhuese dhe kontabilizojnë transaksionet deri në nxjerjen e produktit të gatshëm, njihen dhe me organizatat jofitimprurëse dhe realizojnë një cikël të tërë të kontabilitetit për OJF-të (organizatat jofitimprurëse).