Auto-Mekanike

 

Qëllimet e arsimit profesional në drejtimin mësimor “Auto-mekanikë”

Qëllimi kryesor i arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”, është përgatitja e nxënësve nga ana teorike dhe praktike nëpërmjet lëndëve teorike bazë dhe atyre profesionale, laboratorëve dhe praktikave mësimore për të qenë të aftë të punësohen në fushat që përgatit ky specialitet si: a) njohjen, ndërtimin dhe funksionimin e automobilave, b) kontrollin dhe gjetjen e difekteve të automobilit, c) përdorimin e sistemit kompjuterik të automobilit, d) mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të automobilit, e) njohuri mbi sistemet e ngrohjes, ftohjes e ventilimit, ë) njohuri mbi transportin ajror, f) organizimin e punës dhe menaxhimin e servisit.

Aftësitë e përgjithshme të nxënësit në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”

Në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”, nxënësi do të fitojë këto aftësi të përgjithshme:

  • Të komunikojë në mënyrë korrekte me shkrim e me gojë për të shprehur mendimet e tyre dhe për të argumentuar opinionet për çështje të ndryshme.
  • Të përdorë burime dhe teknika të ndryshme të mbledhjes dhe të shfrytëzimit të informacioneve të nevojshme për zhvillimin e tij personal dhe profesional.
  • Të respektojë parimet e punës në grup dhe të bashkëpunojnë aktivisht në arritjen e objektivave të pranuara.

Aftësitë profesionale të nxënësit në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”

Me përfundimin me sukses të arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”, nxënësi do të jetë i aftë të ushtrojë kompetencat profesionale si më poshtë:

  • Të administrojë punën në servis në të cilën ushtron veprimtari.
  • Të organizojë vendin e punës në servis dhe të përdorë mjetet dhe pajisjet kryesore të servisit.
  • Të bëjë kontroll diagnostikim të makinave.
  • Të kryejë veprimet për blerjen dhe shitjen e pjesëve të ndrimit të makinave.
  • Të punojë në institucione shtetërore në drejtim të mirëmbajtjes dhe manaxhimit të mjeteve të transportit.
  • Të punojë si Manaxher dhe Teknik në sektorin e shitjeve të makinave.
  • Të zbatojë rregullat e sigurisë në punë dhe të ruajtjes së mjedisit.

Mundësitë e punësimit dhe të arsimimit të mëtejshëm në përfundim të arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”

  • Përfundimi me sukses i arsimit profesional në drejtimin “Auto-mekanikë”, e pajis nxënësin me çertifikatën e punonjësit të kualifikuar. Ky arsimim profesional i jep nxënësit mundёsi t'i drejtohet tregut të punës si punonjës i kualifikuar nё njësi ekonomike të ndryshme për kryerjen e veprimtarive që lidhen me fushën e sherbimit dhe riparimit të makinave, si drejtues servisi apo të vetëpunësohen në servisin e tij.
  • Përsa i përket arsimimit të mëtejshëm, nxënësi ka mundësi të vazhdojë studimet e larta në degën e Inxhinierisë së transportit apo në degë të ngjashme në Universitetin Politeknik.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 10

Programi i kësaj lënde të integruar synon formimin sa më të plotë gjuhësor dhe letrar të nxënësve për t’i orientuar ata në një komunikim të përshtatshëm dhe shumëplanësh. Gjatë vitit nxënësit do të punojnë me tekste të shkruara letrare dhe joletrare, me tekste të folura dhe pamore, duke ndërthurur 5 fushat kryesore: Të lexuarit, Të shkruarit, Të folurit, Të degjuarit, Të vështruarit. Nxënësit mesojnë të vlerësojnë të lexuarin si mjet për zgjerimin e horizontit të tyre kulturor, të zbulojnë pasurinë e gjuhës shqipe në tekste të kryeveprave kombëtare dhe botërore, të analizojnë tekste nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore e periudhave dhe rrymave të ndryshme letrare.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 11

Programi i gjuhes shqipe dhe letersisë 11, duke qenë vazhdim i programit të klasës së 10-të, i rimerr njohuritë duke i zgjeruar dhe thelluar me tej ato. Synimi kryesor është përdorimi nga nxënësit i gjuhës dhe letërsisë në formate të ndryshme, me shkrim dhe me gojë. Lënda trajton: tekstin tregimtar, poetik, dramatik, shpjegues, argumentues si dhe forma të ndryshme mediatike. E veçanta është se këto “produkte” ata do t’i trajtojnë si tekste që mund të kuptohen, por edhe të “ndërtohen”. Nxënësit do të njohin dhe përvetësojnë në mënyrë aktive njohuri për letërsinë kombëtare dhe botërore, do të zhvillojnë interesin për letërsine dhe do të aftësohen për kuptimin dhe vlerësimin kritik të informacionit.


Gjuha shqipe dhe Letërsia 12

Programi i gjuhës shqipe dhe letersisë 12 synon zgjerimin dhe thellimin e njohurive të mëparshme, duke pasur si objektiv që nxënësit të zbulojne aftesitë e domosdoshme për të marre pjesë në veprimtari praktike, diskutime, prezantime etj. Lënda përmban analiza të thelluara të teksteve të përzgjedhura nga veprat e letërsisë shqiptare e botërore, nëpërmjet të cilave nxënësit do të demonstrojnë të kuptuarit e koncepteve dhe njohurive për strategjitë e të lexuarit, do të indentifikojnë veçoritë e teksteve dhe do të reflektojnë për to. Në program zë vend puna kërkimore e cila synon zhvillimin e aftësive për të përdorur burime te ndryshme informative, strategji të larmishme në planifikimin dhe realizimin e shkrimeve të pavarura.


Gjuha Shqipe dhe Letërsia 13

Programi i lëndës është ndërtuar duke konsideruar objektivat dhe pritshmëritë akademike të nxënësve, por edhe për t’i ndihmuar ata të kenë një komunikim të saktë, korrekt e të përshtatshëm me shkrim dhe me gojë. Për të realizuar temat përdoren tekste nga letërsia shqiptare dhe botërore dhe tekste akademike. Kjo u jep mundësi nxënësve të praktikojnë strategji të larmishme të të lexuarit por edhe të studimit; të thellohen në proçeset e të menduarit për të arritur objektivat e duhura; të reflektojnë mbi mënyrat që ata përdorin për të kuptuar dhe monitoruar veten; të harmonizojnë leximin me shkrimin dhe të përdorin drejt të shkruarit; të zhvillojnë të menduarit kritik dhe krijues; të përdorin teknologjinë si mjet të rëndësishëm për të zhvilluar më tej studimin akademik dhe për të qenë të suksesshëm.


Anglisht 10

Metoda e përdorur është “New Inside Out”- New edition, në nivelet Pre-Intermediate dhe gjysma e nivelit Intermediate. Ky nivel ka për qëllim të konsolidojë dijet e marra në shkollën 9-vjeçare duke e vendosur nxënësin në një platformë dhe këndvështrim të ri për angazhimin e tërësishëm të tij në planin intelektual dhe emocional për ta vënë atë në shërbim të ambicjeve të tij në përvetësimin e kësaj gjuhe si dhe në funksion të dijeve në lëndë të tjera që mësohen në këtë shkollë. Nxënësi konsolidon në këtë stad reflekset gjuhësore në aspektet lexim, shkrim, dëgjim dhe stimulohet në të folur.


Anglisht 11

Metoda është “New Inside Out” New Edition me pjesën e dytë të nivelit Intermediate dhe tërësisht nivelin Upper Intermediate. Puna është konceptuar si vazhdim i punës së nisur në vitin e mëparshëm. Puna synon në një balancim e përfshirje të natyrshme në mësimin e një gjuhe të re mbi një këndvështrim analitik ku nxënësi nxitet të verë re më shumë aspekte komplekse të gjuhës. Nxënësi në këtë fazë kupton një tekst kompleks qartë, komunikon mbi të dhe di gjithashtu të ndërtojë një tekst mbi një spektër të caktuar problemesh. Ai bëhet dëgjues i mirë dhe në përfundim të vitit shkollor është i gatshëm të përballojë kërkesat e nivelit standart B-2 të CEF (Common European Frame).


Anglisht 12

Nxënësi përmbyll kërkesat e ciklit të plotë të metodës “New Inside Out” New edition përmes fokusimit në punën me nivelin Advanced. Nxënësi këtu rishikon në mënyrë harmonike e praktike tërë elementet e kompleksit gjuhësor dhe është i gatshëm të krijojë e interpretojë koncepte nga pikëpamja formale. Nxënësi ndjen tashmë kënaqësinë e tërë punës së kryer duke i mëshuar më shumë punës individuale dhe konsultave gjuhësore qofshin ato brenda apo jashtë orës së mësimit në takimet e hapura të klubit të Anglishtes.


Anglisht 13

Specifika kurrikulare e shkollës tonë krijon mundësinë për zhvillim më të avancuar gjuhësor në drejtim të komunikimit publik me shkrim dhe me gojë. Nxënësi perfeksionohet në teknikat e korespodencës me letrat zyrtare, ai futet dhe zhvillon bazat e teknikave të të shkruarit duke konsoliduar elementë të tillë si shkrimi i raporteve, eseve të llojeve të ndryshme si dhe stërvitet të përballojë nivelet më të mira të të folurit publik para audiencave të gjera. Standarti i punës në këtë fushë është ai i vendosur nga British Council. Në përfundim të këtij cikli, nxënësi përballon në nivel të lartë kërkesat universitare mbi njohjen e gjuhës angleze brenda dhe jashtë vendit.


Qytetari 10

Ky program përfshin një tërësi konceptesh dhe vlerash themelore që janë të përbashkëta për të gjitha demokracitë moderne. Nëpërmjet trajtimit të problemeve të lidhura me organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë synohet që nxënësi të përvetësojë njohuri dhe aftësi intelektuale të domosdoshme për të kuptuar, analizuar dhe për të ndikuar në politikat sociale dhe në zbatimin e tyre. Gjithashtu lënda ka për qëllim t’i ndërgjegjësojë nxënësit për t’u bërë qytetarë aktivë të përgjegjshëm në komunitetin e tyre, t’i aftësojë ata për të marrë vendime të arsyeshme në dobi të zhvillimit të pandërprerë të shoqërisë demokratike.


Qytetari 11

Programi “Qytetari XI” është hartuar në vazhdim të programit “Qytetari X”. Synimi themelor i tij është edukimi i nxënësve me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Ky program synon harmonizimin e tri elementëve: njohurive të reja, aftësive intelektuale dhe prirjeve qytetare, të cilat ndikojnë në edukimin e mëtejshëm demokratik të nxënësve. Temat trajtohen duke gërshetuar formimin teorik me shprehitë praktike për të ndikuar kështu në forcimin e ndërgjegjes qytetare tek të rinjtë. Ato ndihmojnë zhvillimin e frymës së debatit të shëndetshëm dhe aftësimin e nxënësve për të marrë vendimet e duhura në sfidat e përditshme.


Karrierë dhe Aftësim për Jetën 12

Programi edukim për karrierën synon t’u japë nxënësve njohuri dhe shprehje për të kapërcyer vështirësitë që u dalin në jetë, për mënyrën se si duhet të jetojnë jetën e tyre, për të larguar frikën se nuk do të realizojnë ëndrrat e tyre në raport me aftësinë e tyre në zgjedhjet që do të bëjnë në lidhje me profesionin apo zanatin që do të marrin për t’u ndjerë sa më të sigurtë në vendimarrjen që do të bëjnë lidhur me të ardhmen e tyre. Nxënësit do të kuptojnë që formimi i karrierës së tyre është një dukuri që zgjat gjatë gjithë jetës në përputhje me kërkesat e tregut të punës, për të qenë sa më të aftë në zgjedhjet e tyre në raport me sfidat e përditshme.


Histori 11

Programi i kësaj lënde synon analizën e veçantë të ngjarjeve kryesore të historisë botërore nga Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Europiane e deri në ditët tona. Ky program shpjegon ndryshimet që kanë ndodhur në fushën politike, ekonomiko-shoqërore apo në fusha të tjera në periudha të ndryshme historike, në rajone dhe vende të ndryshme, duke identifikuar veçoritë specifike të zhvillimeve historike botërore.


Histori 12

Nëpërmjet kësaj lënde synohet të jepet një tablo e plotë e historisë kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në diasporë për të gjitha periudhat nga lashtësia nga ditët tona e integruar me historinë botërore. Lënda përfshin njohuri nga bota ilire, shtetet dhe të dhëna për popullsinë ilire; shqiptarët gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine; Epoka e Skënderbeut; Periudha e pushtimit osman; Rilindja Kombëtare; Periudha e Pavarësisë, Lufta e 1 dhe e 2 Botërore dhe të dhëna për historinë e shqiptarëve jashtë kufijve.


Shkencë Toke 10

Shkenca e Tokës synon njohjen dhe kuptimin e strukturës, dinamikës dhe sistemeve gjeofizike të Tokës, marrëdhëniet ndërmjet sistemeve, marrëdhëniet e Tokës me pjesën tjetër të universit si dhe ndërveprimin me aktivitetin njerëzor. Ajo zhvillon shpjegimet e dukurive themelore të gjeografisë fizike dhe gjeologjisë, përfshirë historinë e Tokës, tektonikën e pllakave, evolucionin e formave të tokës, të dhënat gjeologjike të Tokës, motin dhe klimën, si dhe një bazë njohje astronomike në funksion të kuptimit të dinamikës së Tokës.


Gjeografi 11

Gjeografia rajonale synon njohjen mbi kompleksitetin natyror e human të rajoneve e nënrajoneve të ndryshme të botës. Ajo zhvillon aftësitë për të gjetur zgjidhje dhe për të mbajtur qëndrime mbi proceset, dukuritë, modelet dhe marrëdhëniet midis tyre, gjithashtu parashikon sfidat dhe ndërvarësitë rajonale botërore.Gjeografia e Shqipërisë ka për synim të studiojë natyrën, popullsinë dhe ekonomine e trevave shqipëtare, lidhjen e ndërsjelltë ndërmjet natyrës dhe zhvillimit të organizimit hapësinor të veprimtarisë jetësore e prodhuese të shoqërisë si dhe studimin tërësor të rajoneve gjeografike shqipëtare.


Matematikë Bërthamë 10

Programi synon të sigurojë një formim të plotë teorik dhe praktik të nxënësve duke siguruar informim të mjaftueshëm matematik, për trajtimin në vijueshmëri të disiplinave të tjera.Trajton numrin dhe veprimet me numra, shprehjet shkronjore, elementë të gjeometrisë në plan, funksioni, vargu, ekuacionet dhe inekuacionet si dhe funksionin eksponencial dhe logaritmik.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 11

Programi synon të aftësojë nxënësit për të zotëruar e thelluar shprehitë e punës së pavarur, të modelojë matematikisht situata të jetës së përditshme. Programi trajton drejtëzën, funksionin dhe bashkësine e përcaktimit të tij, funksionin e anasjelltë. Në të trajtohen me hollësi elementë të trigonometrisë dhe zbatime të saj dhe gjeometria në hapësirë. Vend të rëndësishëm zë trajtimi i limitit të funksionit.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 12

Programi synon të pajisë nxënësit me njohuri dhe shprehi matematike të nevojshme për jetën dhe arsimimin e mëtejshëm, t’i aftësojë në zbatimin praktik të njohurive teorike të marra në shkollë. Programi trajton vazhdueshmërinë e funksionit, derivatin dhe zbatime të tij, numrin kompleks dhe integralet si dhe statistikë, kombinatorike dhe probabilitet.


Matematikë Bërthamë dhe e Avancuar 13

Ky program synon veç formimit dhe aftësimit teorik dhe praktik të nxënësve, përgatitjen e tyre për maturën shtetërore. Programi trajton gjeometrinë analitike, pjesën e konikëve (rreth, elips, hiperbolë, parabolë), kombinatorike, statistikë dhe probabilitet. Pjesa tjetër është përsëritja e lëndës për provimet e maturës shtetërore.


Informatikë – TIK 10

Në klasën e dhjetë nxënësit mësojnë këta elementë:Intro në kompjuter, Sistemet e operimit, Programet e paketës office 2007: Word, PowerPoint. Këto njohuri të trajtuara përgjatë pjesës së parë të vitit mësimor pasurohen me elementë nga interneti. Në pjesën e dytë trajtohen gjuhët e programimit dhe pikërisht gjuha Pascal.


Informatikë – TIK Bërthamë dhe i Avancuar 11

Në klasën e njëmbëdhjetë informatika ndahet në dy pjesë: Pjesa bërthamë dhe Pjesa me zgjedhje të detyruar. Në pjesën bërthamë trajtohen programet e paketës office 2007, Excel, Access. Në informatikën me zgjedhje trajtohen këto elementë: Gjuhët e programimit: Në pjesën e parë trajtohet gjuha HTML. Në pjesën e dytë trajtohen elementë nga gjuha C++


Fizikë Bërthamë 10

Fizika 10 synon aftësimin e nxënësve në trajtimin teorik dhe eksperimental të ligjeve bazë të mekanikës Njutoniane, duke i paraprirë formimit intelektual dhe teknik, profesional të tyre në përputhje dhe me aftësitë e tyre matematikore.


Fizikë Bërthamë dhe e Avancuar 11

Fizika 11 synon formimin e nxënësve me parimet themelore të termodinamikës, të elektrostatikës, magnetizmit, lëkundjeve dhe valëve duke i paraprirë koncepteve bazë të mekatronikës, elektronikës etj.


Fizikë e Avancuar 12

Kurrikula e kësaj lënde synon formimin e plotë teorik të nxënësve, pasi nxënësit fitojnë njohuri në fizikën moderne, duke i aftësuar ata plotësisht për të vazhduar më tej studimet e larta. Një vend të rëndësishëm, në programin e fizikës, zënë përforcimi dhe thellimi i njohurive që realizohen nëpërmjet: punëve laboratorike, që realizohen me cilësi në laboratorin e fizikës, punëve me projekte të realizuara edhe në klubin e fizikës, shkrimit të eseve shkencore, etj.


Kimi Bërthamë 10

Të kuptojë konceptet bazë më të rëndësishme të kimisë dhe të realizojë lidhjen e kimisë me dukuritë e jetes së perditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqerisë; Te jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth dukurive kimike, vetive të substancave me rëndësi praktike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vleresojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; Të mësojë te planifikojë dhe zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; Të përdorë teknologjine e informacionit dhe të komunikimit, si mjete për sigurimin dhe komunikimin e informacionit; Të përdorë njohuritë kimike në diskutimet në lidhje me natyrën, mjedisin dhe teknologjinë, në procesin e vendimarrjes si konsumator për të mbajtur një shëndet të mire dhe nxitur zhvillimin e qëndrueshëm;


Kimi Bërthamë 11

Të kuptojë konceptet bazë më të rëndësishme të kimisë dhe të realizojë lidhjen e kimisë me dukuritë e jetës së përditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqërisë; të jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth dukurive kimike, vetive të substancave me rëndësi praktike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vlerësojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; të mësojë të planifikojë dhe të zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; të familjarizohet me teknologjinë moderne në industrinë dhe inxhinierinë mjedisore; të fitojë eksperienca që do të ngjallin interesin për të bërë zgjedhjen e karierës në kimi.


Kimi e Avancuar 12

Të kuptojë konceptet kimike të programit dhe të realizojë lidhjen e tyre me dukuritë e jetës së përditshme me mirëqënien e njeriut dhe shoqërisë; të jetë i aftë të kërkojë dhe të përpunojë informacione rreth substancave dhe dukurive kimike duke përdorur kërkimin shkencor dhe mënyra të tjera të nxënies aktive, si dhe të vlerësojë saktësinë dhe rëndësinë e informacioneve; të planifikojë dhe zhvillojë eksperimente për dukuri të ndryshme, duke ndjekur rregullat e sigurisë me pajisjet dhe kimikatet; të familjarizohet me teknologjinë moderne në industri dhe në inxhinierinë mjedisore.


Biologji 10

Programi synon që nxënësi të marrë njohuritë kryesore për karakteristikat, ndërtimin dhe fiziologjinë e gjallesave. Nxënësit thellojnë njohuritë e tyre të marra nga shkolla 9- vjeçare në lidhje me sistemet e trupit të njeriut duke vëne theksin në funksionimin e këtyre sistemeve. Trashëgimia dhe gjenetika zënë një vend të rëndësishëm në program. Nxënësit marrin njohuri për ligjet në trashëgiminë e tipareve, për bioteknologjinë dhe klonimin. Ekologjia, komuniteti dhe marrëdhëniet në komunitet trajtohen si tema të lira me nxënësit duke synuar ndergjegjësimin e tyre për rolin e njeriut në mjedisin ku jetojmë, për ndikimin pozitiv dhe negativ të tij mbi botën bimore dhe shtazore.


Edukim Fizik 10 - 11

Lënda e edukatës fizike, bazuar tërësisht mbi konceptet dhe përmbajtjen e veprimtarisë lëvizore dhe sportit, do të përforcoje njohuritë e çdo nxënësi dhe do ti sigurojë atij pervoja, aftësi dhe njohuri të reja, të cilat do të zgjerojnë edhe me tej formimin kulturor, fizik e shëndetësor.Të zhvillojë tek nxënësit një shëndet të plotë në aspektet fizike, psikologjike, shpirtërore dhe shoqërore; të formojë aftësi dhe shprehi lëvizore të vlefshme për jetën.


Lojëra sportive me zgjedhje të lirë 12 – 13

Organizimi dhe realizimi i kësaj lënde do t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë efektet, jo vetëm në aspektin fizik e sportiv, por edhe në atë të marrëdhënieve midis njëri-tjetrit. Gjithashtu synon të demonstrojë elementët bazë të lojërave sportive (basketboll, volejboll, hendboll, futboll) për t’i ndërgjegjësuar që të merren me fiskulturë dhe sport.


Vizatim Teknik dhe AutoCAD 10

Lënda e Vizatimit Teknik dhe AutoCAd-it jepet me metodat më sociale të përfytyrimit të formave të sendeve apo objekteve të ndryshme të natyrës. Vizatimi bëhet me ose pa vegla të vizatimit teknik, me dorë të lirë në formën e skicës, e cila shërben për bërjen e shpejtë të paraqitjes grafike të sendit apo objektit natyror. Nëse bëhet me vegla, ajo mer formën e vizatimit të punës. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me paraqitjen e objekteve të ndryshëm me përmasat e dhëna të gatshme për tu prodhuar ose e anasjellta, kur vizatimi është i bërë, nxënësi të jetë në gjendje ta lexojnë atë, për të krijuar idenë dhe përfytyrimin rreth objektit të paraqitur. Në AutoCAD nxënësit mësojnë kryesisht se si bëhet e mundur realizimi i vizatimit të objekteve te ndryshëm natyror nëpërmjet kompjuterit në 2D (në plan) dhe 3D (ne hapësirë). Këto realizohen nëpërmjet mësimit të komandave kryesore të AutoCAD-it si dhe përfytyrimit të objekteve në hapësirë. Këto mbështeten tek praktika ku vazhdimisht bëhen ushtrime të ndryshme nga më të thjeshtat deri tek më të vështirat si nga pamjet deri tek vizatimet përmbledhëse etj.


Hyrje në Biznes 10

Nëpërmjet kësaj lënde synohet që nxënësi të marr njohuritë kryesore në fushën e biznesit duke filluar me rolet ekonomike që luan çdo individ në jetën e përditshme, (roli si konsumator, si punonjës dhe si qytetar për krijimin e së mirës së përgjithshme). Gjithashtu edhe rrugët më të efektshme për administrimin e të ardhurave dhe kursimeve me rrezik sa më të ulët dhe fitim sa më të lartë, mbrojtje me anë te sigurit kundrejt humbjeve ekonomike, si vepron ky sigurim dhe pse ai është i nevojshëm.


Elektronikë (Elementë të Elektronikës) 11

Në këtë lëndë nxënësit mësojne bazat e ndërtimit dhe llogaritjes së qarqeve elektrike, ligjet kryesore dhe elementët përbërës të tyre. Gjithashtu studiojnë qarqet e rrymës së vazhduar dhe alternative, bazat e elektronikës, diodës, tranzistorit, tiristorit - funksionet dhe përdorimet e tyre. Një vend të veçantë kanë edhe njohuritë mbi teknikën dixhitale, portat llogjike, skemat llogjike etj.


Njohuri për aviacionin 11, 12

Nëpërmjet kësaj lënde nxënësit pajisen me njohuri në: Aeronautikë dhe Aerodinamikë. Gjithashtu ata marrin njohuri për aeroplanin, lindjen e transportit ajror, infrastrukturën ligjore dhe organizative në transportin ajror si dhe prirjet aktuale të zhvillimit në transportin ajror.


Mekanikë teknike 11

Elementët e Mekanikës në klasën e 11-të i pajisin nxënësit me njohuri mbi ligjet bazë të mekanikës, vazhdojnë me Epjen, trajtojnë llogaritjen e detaleve të makinave si dhe llojet e lidhjeve në to : a) lidhjet e paçmontueshme; b) lidhjet e çmontueshme. Gjithashtu njihen me transmisionin me fërkim, me rripa, me zinxhir, me rrota me dhëmbë etj. Në përfundim të programit nxënësit janë të aftë të kuptojnë parimin e punës dhe funksionimin e çdo lloj mekanizmi që përdoret sot në fusha të ndryshme.


Teknologji mekanike 12, 13

Nëpërmjet kësaj lënde nxënësit njihen me llojet kryesore të materialeve që përdoren në industrinë e ndërtimit të makinave, vetitë bazë të tyre dhe fushat e përdorimit. Lënda jep njohuri për: veglat matëse dhe të kontrollit, përpunimin termik të materialeve metalike, për përpunimin me anë të shkrirjes dhe derdhjes nëpër forma, për përpunimin me trysni-saldim -ngjitje dhe për përpunimin e tyre me vegla dore. Gjithashtu ata njihen me përpunimin e materialeve metalike me heqje ashkle në makinat e tornimit-frezimit-shpimit-sharrimit-zdrugimit-retifikimit.


Impiantet e ngrohjes, ftohjes dhe ventilimit 12, 13

Kjo lëndë është një kompleks disiplinash që meret me studimin e impianteve ftohës dhe ngrohës që përdoren në jetën e përditëshme. Duke shfrytëzuar vetitë e gazeve ftohës bëhet e mundur realizimi i ftohjes artificiale. Kjo ka gjetur një përdorim të gjerë pothuajse në të gjitha industritë si: mekanike, kimike, ushqimore dhe për përdorim shtepiak etj. Çdo ditë e më shumë po gjen përdorim teknika e ftohjes duke plotësuar nevojat në rritje të shoqërisë. Si lëndë zhvillohet në klasat 12-të dhe 13-të. Në klasën e 12-të nxënësit marrin njohuri per: bazat e ftohjes ku përfshihen gazet, transmetimin e nxehtësisë, skemat e ftohjes dhe elementët përbërës të tyre. Bëhet shoqërimi i këtyre njohurive me softet përkatëse. Në klasën e 13-të nxënësit marin njohuri për elementë të ndryshëm të shërbimit dhe riparimit të sistemeve të ftohjes siç janë: evakuimi i sistemeve ftohëse, ngarkimi i sistemeve ftohëse, sistemet e ajrit të kondicionuar, sistemi i ventilimit etj. Këto shoqërohen me skemat përkatëse dhe softe.


Ndërtimi, përshkrimi dhe shërbimi i automobilave 11, 12, 13

Nëpërmjet kësaj lënde të specialitetit, nxënësit fitojnë njohuri të plota dhe të thella për tipet e ndryshme të motorave me djegie të brendshme si: karburator, me injeksion dhe diesel pa përjashtuar dhe motorat e të ardhmes dhe turbomotorat. Nxënësit fitojnë njohuri të plota për ndërtimin dhe funksionimin e mekanizmave dhe sistemeve të motorit, transmesionit të fuqive dhe pjesëve lëvizëse të tij. Për të gjitha këto mekanizma dhe sisteme, jepen njohuri të hollësishme për mënyrat e kontrollit të punës normale të tyre në motora, sipas metodave më të sofistikuara elektronike që përdoren sot në automjetet moderne. Lënda jep njohuri të plota për shërbim-riparimin e agregateve të një automjeti, të mekanizmave të motorit dhe sistemeve të tij duke parashikuar të gjithë regjistrimet dhe kontrollet e nevojshëm. Nëpërmjet këtyre njohurive nxënësit njihen me veglat e punës, pajisjet dhe instrumentat matës dhe diagnostikues që mund të përdoren në një servis bashkëkohor.


Kontrolli dhe diagnostikimi i automobilave 13

Ndërtimi i kësaj lënde përfshin specialitetin e transportit automobilistik, për faktin se ajo kërkon një njohje të saktë të ndërtimit dhe funksionimit të automjeteve të sotëm modernë dhe njohuritë e plota për shërbimin dhe riparimin që i kërkohet atyre. Synimi i lëndës është që nxënësi të bëhet specialist duke gjetur dhe interpretuar të gjitha llojet e difekteve që ndodhin në motorin e një automjeti, në transmisionin e fuqisë dhe në pjesët lëvizëse. Lënda ka për qëllim që t'i mësojë nxënësit ose specialistit përdorimin e të gjitha aparateve të nevojshme për të zgjidhur problemet kryesore të diagnostikimit të automobilave. Lënda parashikon përdorimin e aparateve të veçantë për probleme të caktuara ose aparateve komplekse si: gazoanalizatori, kompjuteri me anën e të cilëve bëhet një analizë e saktë për të nxjerrë diagnozën e vërtetë të difekteve që shfaqen.


Teori biznesi 13

Kjo lëndë synon dhënien e disa njohurive për hyrjen në tregun e punës si mënyra për prezantimin më dinjitoz në intervista punësimi dhe rrugët për gjetjen e një pune të përshtatshme me njohuritë dhe aftësitë e zotëruara. Gjithashtu kjo lëndë jep njohuri bazë mbi kontabilitetin, menaxhimin, marketingun dhe elementë juridikë të nevojshëm për një aktivitet biznesi.


Praktikë profesionale (Torneri-Axhusteri dhe Auto-Mekanikë) 12

Ndërtimi i kësaj lënde përfshin synimet kryesore të specialitetit të transportit automobilistik, sepse kërkon një njohje të saktë të ndërtimit dhe funksionimit të automjeteve të sotëm dhe njohuritë të plota për shërbimin dhe riparimin që u kërkohet atyre. Synimi kryesor i lëndës është që nxënësi të përgatitet si specialist në fushën e shërbimit dhe riparimit të automobilave, të marrë njohuri bazë për makinat metalprerëse (torneri) dhe axhusteri. Në makinat metalprerëse synohet që nxënësi të njohë mirë makinat tornuese, ndërtimin e tyre dhe llojet e punimeve që bëhen me to. Në axhusteri synohet që nxënësi të njohë dhe të përdorë instrumentet matës, veglat e axhusterisë dhe llojet e punimeve të thjeshta që bëhen me to.


Praktikë profesionale 13

Në klasën e 13-të, nëpërmjet kësaj lënde synohet që nxënësit të formojnë shprehi praktike në drejtim të shërbimit dhe riparimit të automobilave. Kjo fokusohet në sistemet e transmetimit të fuqisë së motorit në rrotat aktive, në sistemet e drejtimit, në sistemet e frenimit dhe të kontrollit të stabilitetit të mjetit gjatë lëvizjes së tij. Këto realizohen nëpërmjet praktikës që nxënësit zhvillojnë në firmat e ndryshme.


Aplikime kompjuterike 12

Në këtë kurikul nxënësit mësojnë dy programe kompjuterike: RhinoAutoCAD dhe 3D-Max. Programi Rinoceront (zakonisht i shkurtuar Rhino, ose Rhino3D) është një program komjuterik grafikor 3D, i cili u vjen në ndihmë nxënësve për të realizuar vizatime të ndryshme me ndihmën e kompjuterit, kompjuter-Aided(CAD). Gjeometria Rinoceront është bazuar në modelin matematikor NURBS, e cila fokusohet në prodhimin dhe përfaqësimin matematikisht të saktë të kthesave dhe sipërfaqeve të realizuara me freeform në kompjuter. Programi Rinoceront është përdorur në proceset kompjuterike - kompjuter Aided Design (CAD), në prodhimin e objekteve me ndihmën e programit CAD-CAM, prodhimin e prototipeve të shpejtë 3D në vizatimet industriale përfshirë vizatimet e arkitekturës, dizajnit industrial (p.sh. dizajni i automobilave, dizajnet ujore), të projektimit të produktit (p.sh. dizajn bizhuteri), si dhe për multimedia dhe dizajn grafik. Programi 3D-Max është një mjet i fuqishëm modelimi në 3D. Me anë të këtij programi nxënësit do të mësojnë konceptet bazë të cilat lejojnë dizenjuesit dhe planifikuesit të komunikojnë konceptet komplekse 3D. Me anë të komandave të specializuara të programit nxënësit do të mësojnë të modelojnë forma organike dhe të simulojnë zhvendosje filmike. Do të mësojnë të importojnë modele në aplikacione të tjera si psh AutoCAD dhe t’i eksportojnë ato në 3D-Max.


Aplikime kompjuterike 13

Në këtë kurikul nxënësit mësojnë programin kompjuterik Sketchup. Programi Sketchup është një mjet i fuqishëm modelimi në 3D. Me anë të këtij program nxënësit do të mësojnë konceptet bazë të cilat lejojnë dizenjuesit dhe planifikuesit të komunikojnë konceptet komplekse 3D. Me anë të komandave të specializuara të programit nxënësit do të mësojnë të modelojnë forma organike dhe të simulojnë zhvendosje filmike. Do të mësojnë të importojnë modele nga aplikacione të tjera dhe t’I eksportojnë modelet SketchUp në programe të tjera 2D, 3D (si AutoCAD,3D-Max etj) si edhe në aplikacione filmike.