Një mesazh për Fultz-istat!

Nje mesazh, që presidenti i sapozgjedhur Drini Zusi u drejton bashkëmoshatarëve të tij, në një intervistë dhënë për gazetën Laboremus: “Mendoj se në shkollë duhet të mbizotërojë një frymë më e fortë bashkëpunimi, të jemi një komunitet i bashkuar, ku të jemi ne, kandidatët, të parët që japim shembullin. Dhe pse jo të hedhim hapat e para të të qenurit elitë e shoqërisë, sepse, duke u nisur nga shkolla që po ndjekim dhe traditat e saj, duhet të synojmë shumë lart.”

Tetori tashmë është bërë traditë si muaji i fushatës elektorale për zgjedhjen e presidentit. Ditët e fushatës, oborri i shkollës është më i zhurmshëm se zakonisht. Postera, fletëpalosje, grupe nxënësish me bluzat e kandidatëve, fjalime të zjarrta të stafeve, premtime, plane, programe…Nxënësit të ndarë në grupe mbështesin kandidatin e preferuar. Shumë prej tyre i sheh duke shpërndarë fletëpalosje apo të veshur me bluza me logot përkatëse të kandidatëve.

Përveç organizimeve tashmë traditë për shkollën, si party-t apo klubet, këtë vit iu dha një rëndësi e madhe aktiviteteve me qëllim orientimin profesional të nxënësve, pavarësisht drejtimit të tyre. Kjo ndoshta pas entuziazmit dhe interesit të treguar në projektin “Sipërmarrësit e rinj shqiptarë”, të zhvilluar vitin e shkuar në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Ndaj dhe fitues ishte ai kandidat, që e bëri pjesë të programit orientimin profesional të nxënësve: Drini Zusi.

Përtej kësaj të katër kandidatët Darius Vishkurti (Elektronikë), Drini Zusi (Biznes), Monika Qehaja (Gjimnaz) dhe Patrik Bardhi (Elektronikë) kishin shumë për ti ofruar shkollës, nxënësve, por edhe njëri-tjetrit. Dhe këtë e tregoi më së miri kjo fushatë e paqtë e bashkëpunuese. Dhe pas zgjedhjes së presidentit, u zhvillua ceremonia e betimit të senatit sipas protokolleve të paracaktuara në kushtetutën e shkollës.