Panairi “Olimpiada e aftësive”

Nga 27 – 29 Prill 2017 në Expocity u zhvillua Panairi “Olimpiada e aftësive”, ku morën pjesë shkolla profesionale nga gjithë Shqipëria. Në Expocity, Shkollat Profesionale, Qëndrat e Formimit Profesional, dhjetëra kompani private, të gjitha bashkë për herë të parë në një Panair! Dhe nuk kishte si të mungonte Instituti “Harry Fultz” me komponentët e vetë: Shkolla e mesme dhe Kolegji Komunitar.

Mesazhi që ky panair kërkonte të përçonte ishte nxitja e të rinjëve në zgjedhjen e arsimit profesional. Nxitja e arsimit profesional, tashmë nuk është vetëm një nevojë emergjente e ekonomisë për punëtorë të kualifikuar, por po kthehet në një trend që të rinjtë duan ta ndjekin. “Olimpiada e aftësive” e solli në formën më të mirë këtë trend.

Shkolla jonë u bë pjesë e këtij panairi me një prezantim dinjitoz nga Klubi i Robotikës. Stenda ishte plot e përplot me projekte fantastike dhe nxënës, të gatshëm për të shpjeguar dhe për të shuar kuriozitetin e madh të vizitorëve.

Interesi ishte i lartë dhe prezantimi i denjë për emrin e Institutit “Harry Fultz”. Shumë te rinj pjesë e këtij panairi apo edhe vizitorë, në vend që të harxhonin një ditë përpara kompjuterit, e harxhuan atë në një botë reale për të bërë një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tyre – afrimin drejt një profesioni.