“Fultz-i” në Debat!!

“Të bësh një vepër publike e hedh veten në gjyq me gjithë botën!” Kështu thotë shën Jeronimi ndër libra të urtë. Të bësh debat me “Harry Fultz” do të thotë të përgatitesh fort sepse ke përballë një sfidant të fuqishëm!

Në Tiranë u organizua debati për shkollat e mesme me temë: “A duhet të jetë prioritet korrupsioni në arsim, për të reduktuar korrupsionin në vend?” Ne u përzgjodhëm ndër 8 shkolla të mesme më të mirat për këtë debat. Në fazën e pare nxënësit tanë u përballën me shkollën “Qemal Stafa” duke mbrojtur tezën: “Arsimi nuk mund të jetë prioriteti që redukton korrupsionin në vend!” Me fakte, argumente e shembuj konkretë bindëm jurinë dhe fituam të drejtën për të kaluar në takimin gjysmëfinal.

Përballja tjetër me shkollën “Ismail Qemali” i nxori sërish fitues nxënësit tanë. Kësaj here me tezën: “Korrupsioni në arsim duhet të jetë prioritet për të reduktuar arsimin në vend!”. Si finalistë të forte të këtij debati u gjetëm përballë me shkollën “Sami Frashëri”. Takim interesant! Të dyja skuadrat u paraqitën me përgatitje serioze. Juria përbëhej nga përfaqësues të OSBE, MASH e DART dhe vendosën që nxënësve tanë t’u japin trofeun e vendit të dytë në këtë debat. Bashkë me nxënësit e “Sami Frashërit”, nxënësit tanë do të udhëtojnë një javë në Vienë si fituesit finalistë e këtij takimi në rang qyteti.

Pa dyshim që të shohësh të rinjtë të sjellin gjykime të drejta për tema të nxehta si kjo e korrupsionit është guxim, por edhe kënaqësi...është gëzimi i shpresës se brezi që po rrisim do të dijë të çojë përpara me mençuri vendin tonë. Më shumë se çmimi që fituan nxënësit tanë treguan se janë të zotë, dijnë të mbështesin e të bashkëpunojnë me shokët në skuadër për të mirën e përbashkët; të punojnë me përkushtim orëve të vona; të prezantojnë me elokuencë e fleksibilitet figurë qytetarie që do të bënte krenarë çdo prind e mësues.

Mbi të gjitha mësuan se jeta nuk është e lehtë dhe për të kaluar stuhitë e saj, duhet të përballesh gjithmonë me dinjitet, sido që të jetë fundi!