Komedia “Çifti i Lumtur”

Dhe kur gjërat bëhen me dashuri sigurisht që dalin të bukura!

Grupi i teatrit në këtë fundvit u paraqit me një tjetër komedi “Çifti i lumtur” që u mirëprit nga të gjithë. Një komedi shqiptare e realizuar që në vitet ’70 që trajtonte mardhënien midis brezave, ndasitë fetare dhe përshtatjen e individit me mendësinë e kohës.

Shfaqja ishte produkti final i një projekti që nisi në janar. Nxënësit punuan në grupe për të redaktuar skenarin e për ta përshtatur me kohën e vendin ku zhvillohen ngjarjet. Ndreqën skenografinë në mjediset e bibliotekës. E thënë kështu, kjo nuk është një gjë e re, sepse dhe më parë ata kanë qenë pjesëmarrës në skenografi e kostumografi, por kësaj rradhe butaforinë e skenës e krijuan vetë, dhe fotot e mureve “të shtëpisë, lokalit e uzinës”, posterat e ftesat, nuk u mjaftuan vetëm me internetin, por shkuan deri në Shkodër për të ndjekur gjurmët e historisë e të realizimit të filmit. Ndokujt mund t’i duket e tepërt ose e guximshme, sepse nuk u ishte kërkuar, por ky përkushtim i bëri ta donin atë histori. Dhe kur gjërat bëhen me dashuri sigurisht që dalin të bukura! Është pikërisht ky përkushtim që i bën të mos shohin ndasi ndaj njëri tjetrit prej origjinës apo moshës (ky grup ka nxënës të viteve të dyta e të treta që punuan fort mirë me nxënësit e vitit të parë), apo të ndasive të tjera që nuk e lënë të integrohet me ritmin e duhur një shoqëri. Kështu duket se komedia jonë e ka përcjellë si duhet mesazhin e saj. Këtë e dëshmojnë nxënësit tanë jo vetëm me aktrim por edhe me sjelljen e tyre. Shfaqja jonë u dha më 25 maj, një ditë para provimit të parë të maturës, por kjo nuk i pengoi maturantët tanë, aktorët e vjetshëm, të vinin e të merrnin pjesë në skenat masive për të mbështetur shokët e tyre më të rinj e për të marrë me vete ndoshta kujtimin e fundit prej “skenës” ku aq shumë qeshën e na bënë të qeshnim.

E tërë kjo ka vetëm një emër: PASION! Po, është pikërisht pasioni juaj të dashur nxënës që na bën ta shohim jetën me vizion të ri, më të bukur e me shpresën, se kudo t’ju çojnë udhët e jetës, do ta nderoni emrin e “Fultzit”! Urime dhe suksese të mëtejshme!