Zgjedhjet presidenciale në Harry Fultz

Ky fillim i vitit të ri shkollor, ndiqet nga tradita e zgjedhjes së presidentit në fillimet e mesit të muajit Tetor. Zgjedhjet presidenciale nisën me shumë ndryshime që kandidatet për presidente i bënë rregullores. Rregullorja impononte kritere të reja që duhet të përmbushnin kandidatet, në mënyrë që kandidatura e tyre të njihej nga bordi i shkollës. Ndryshimet u bënë të filtronin kandidaturat e rastit nga nxënës të cilët nuk do të kontribuonin në përmirësimin e shkollës. Këto kritere përfshijnë:

*Nota mesatare 9 ose më lart

*Aftësi lidershipi dhe organizative

*Njohuri të mira në lëndët shkencore dhe sociale

*Nxënës i vitit të 3-të ose më lart

Dokumentacioni i nevojshëm përfshinte:

*CV

*Diploma ose çertifikata që dëshmonin për aktivitete jashtëshkollore

*Program vjetor i aktiviteteve të planifikuara

*Tre faqe ese ku kandidatet që aspirojnë do të shprehin pse duan të bëhen presidente

Shume nxënës kanë dashur të paraqesin kandidaturat, por ndryshe nga çdo vit tjetër, kandidatët e vetëm për postin e presidentit të shkollës ishin dy vajza të shkëlqyera, Klea Bega dhe Iris Nela, pasi ato ishin të vetmet që përmbushnin kriteret e vendosura në rregulloren e re.

Edhe pse këtë vit, korridoret e shkollës nuk ishin të mbipopulluara me nxënës që shpërndanin flyera, propagandonin për kandidatët që ata mbështesnin për pothuajse një javë, kjo u zëvendësua me një ditë intensive e prezantime të dy kandidateve për çdo klasë, ku ato tregonin çfarë kishin për të ofruar dhe pse nxënësit duhet të votonin për to.

Unë besoj se faktori më i rëndësishëm që i bëri zgjedhjet presidenciale kaq të veçanta ishte bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i dy kandidateve. Duke i pare të shkëmbenin ide për të ndihmuar dhe mbështetur jo vetëm njëra tjetrën, por edhe të bashkëpunojnë në çështjet në lidhje me mirëadministrimin e shkollës pavarësisht se kush do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve, na dha një pamje të vlerave të brendshme që ato të dyja përfaqësonin dhe si një shoqëri moderne dhe e cilivizuar duhet të menaxhojë këto evente. Kjo është me respekt, përgjegjësi dhe bashkëpunim drejt një qëllimi të përbashkët.

Më në fund, e Premtja erdhi e mbushur me emocione dhe adrenalinë. Këtë here studentët thonë fjalën e tyre duke votuar për kandidaten e tyre të preferuar. Më shumë se 750 nxënës kanë votuar, por në fund të ditës, fituese është shpallur Klea Bega me 30 vota më shumë. Ne e përgëzojmë Klean dhe i urojmë fat në detyrën e re.