Instituti “Harry Fultz” mirëpret Startup Weekend Tirana!

Datat 6-8 Maj rikthejnë aktivitetin e rëndësishëm të sipërmarrjes, Startup Weekend Tirana në edicionin e gjashtë të tij. Në një takim prej 54 orësh, grupe zhvilluesish, menaxherë biznesesh, entuziastë startupesh, reklamues, artisë grafike dhe të apasionuar të tjerë hedhin idetë e tyre në krijimin e kompanive të reja.

Ky aktivitet përbëhet nga një konkurs, në themel të të cilit më shumë se organizimi është krijimi i një atmosfere pozitive me një konkurrencë miqësore nga ku përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit. Startup Weekend Tirana 6.0 krijoi mundësinë e artë për tu lidhur me talente dhe sipërmarrës nga komuniteti vendas. Ky aktivitet u zhvillua në “Harry Fultz” dhe u realizua nga një grup i nxënësve tanë.

Në këtë edicion përshëndeti Z.Ryan Roberts, përgjegjës për departamentin e çështjeve publike pranë ambasadës Amerikane në Tiranë: “Mos kini frikë nga dështimet. Mos kini frikë të mendoni jashtë kornizave. Por gjithnjë punoni në grup dhe jini të hapur ndaj ideve të të tjerëve. Aftësitë që do të zhvilloni gjatë këtij programi, do mund t’i zbatoni kudo në jetë. Prandaj, përdoreni këtë njohuri ashtu si duhet, kërkoni një problem për të zgjidhur, dhe bëjeni vendin tuaj krenar për ju. Mentorë e trajnerë pjesëmarrës në këtë event: Blerim Gjelidani, themelues i Euro Trade Albania, Edlira Kasaj, entuziaste e komunitetit të startupeve, Erton Graceni, ish-këshilltar i zyrës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit pranë Kryeministrisë, Endri Mataj, drejtor i Startup Grind Tirana e shumë figura të tjera të njohura të komunitetit ICT në Shqipëri. Axhenda e aktivitetit të Startup Weekend: Dita e parë: Takime dhe formime të grupeve; Dita e dytë: Mësim dhe punë; Dita e tretë: Prezantim dhe përzgjedhje.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë edicion ishin nën moshën 23 vjeç. Në këtë event morën pjesë 14 grupe nxënësish e studentësh.

Bid Market - Fitues i vendit të parë të Startup Weekend Tirana 6.0. Bid Market është një aplikacion i cili ju lejon të blini ose listoni sende për ti shitur brenda qytetit apo lagjes tuaj. Ky aplikacion bazohet në vendodhjen tuaj, çka do të thotë që sa herë kërkoni diçka, rezultatet e shfaqura do të jenë ato që ndodhen më afër jush.

Fixlab - Fitues i vendit të dytë të Startup Weekend Tirana 6.0. Një makinë me laborator brenda vjen në shtëpinë tuaj për t'ju ardhur shpejt në ndihmë. Ju nuk keni pse të ndërprisni punën apo harxhoni kohë duke “gjëmuar” serviset/ teknikët për të zgjidhur këto probleme.

DollApp - Fitues i vendit të tretë të Startup Weekend Tirana 6.0. DollApp është një aplikacion i cili do të dixhitalizojë garderobën aktuale. Nëpërmjet kësaj garderobe aplikacion mund të realizoni kombinime të ndryshme veshjesh.