“Robotika e Avancuar”

Për të dytin vit radhazi Klubi i Robotikës vjen me një projekt të finalizuar me sukses. “Robotika e Avancuar” është quajtur projekti këtë vit, i një shkalle më të lartë vështirësie dhe pergjegjësie se ai i vitit te kaluar.

Këtë vit studentët mund të ndërtonin çfarëdo që mund të fantazonin. Disa grupe zgjodhën të rimerrnin idetë e vitit të kaluar siç ishin 2 dronët e ndërtuar përgjatë këtij viti (Quadcopter dhe Hexacopter) si dhe Balance Robot, qëllimi i të cilit është të kryejë lëvizje duke u balancuar në 2 rrota. Grupet e tjera erdhën më ide novative si: ndërtimi i një Krahu Robotik, i cili kontrollohej nga një smartphone dhe qëllimi i të cilit është zhvendosja dhe organizimi i objekteve; një CNC Machine, e cila merr një imazh nga kompjuteri dhe më pas e skicon atë në letër; një Rover (mini tank) që kryen lëvizje në terrene të vështira dhe lokalizon qëniet njerëzore; e së fundmi një Dorë Robotike e cila do të imitonte lëvizjet e një dore njerëzore.

Një ndihmë të madhe Klubit të Robotikës i dha pajisja me një printer Tre Dimensional, me anë të të cilit u mundësuan realizimet e gjithë strukturave të ngurta të robotëve. Në përfundim të Klubit, produktet përfundimtare rezultuan funksionale.

Puna disa mujore përmbyllet me një prezantim të 31 nxënësve të degës së elektronikës, pjesëtarë të Klubit të Robotikës në sallën e bibliotekës në prani të mësuesve dhe nxënësve të shkollës. Gjatë këtij projekti nxënësit bashkëpunuan me 4 studentë të Universitetit Politeknik të Worcester dhe nën drejtimin e mësuesit Enxhi Jaupi. Falenderime për këta nxënës të talentuar, jemi krenarë për ta!