Panairi “Olimpiada e aftësive”

Në datat 21, 22, 23 Maj 2016 në Expocity u zhvillua Panairi “Olimpiada e aftësive”, ku morën pjesë shkolla profesionale nga gjithë Shqipëria. Në Expocity, Shkollat Profesionale, Qëndrat e Formimit Profesional, dhjetëra kompani private, të gjitha bashkë për herë të parë në një Panair! Dhe nuk kishte si të mungonte Instituti “Harry Fultz” me komponentët e vetë: Shkolla e mesme, Kolegji Komunitar dhe Ofiçina.

Mesazhi që ky panair kërkonte të përçonte ishte nxitja e të rinjëve në zgjedhjen e arsimit profesional. Nxitja e arsimit profesional, tashmë nuk është vetëm një nevojë emergjente e ekonomisë për punëtorë të kualifikuar, por po kthehet në një trend që të rinjtë duan ta ndjekin. “Olimpiada e aftësive” e solli në formën më të mirë këtë trend.

Muzikë live dhe instalacione fantastike anijesh, modele makinash të krijuara për ekspozim, motorë dhe një kullë Eiffel në miniaturë, të ftonin të vizitoje një nga panairet më të veçanta të hapura në Expocity. Veçantia e këtij panairi qëndronte te grupmosha që ai i drejtohej dhe që ishin nga 14-15-vjeçarë deri në 18 vjeç.

Shkolla jonë u bë pjesë e këtij panairi me një prezantim dinjitoz nga Klubi i Robotikës. Stenda ishte plot e përplot me projekte fantastike dhe nxënës, të gatshëm për të shpjeguar dhe për të shuar kuriozitetin e madh të vizitorëve. Disa nga projektet ishin: “Hexacopter” prezantuar Klea Bega, Darius Vishkurti dhe Sebastian Sula; “Krahu Robotik” prezantuar nga Nesti Haxha, Gabriel Kuka, Kamber Vogli; “Dora Robotike” prezantuar nga Geri Capo; “CNC machine” prezantuar nga Medion Vorpsi, Enxhi Hoxha dhe Irdi Caushi; “Rover”, “Kubi LED” dhe projekte të vogla demonstrative për pjesën e Arduinos dhe sensorëve që përdoren kryesisht në projektet e robotikës. Një risi ishte dhe printeri 3D që ishte gjithë kohës në punë për tu treguar të interesuarëve konkretisht se si ishin ndërtuar projektet.

Interesi ishte i lartë dhe prezantimi i denjë për emrin e Institutit “Harry Fultz”. Shumë te rinj pjesë e këtij panairi apo edhe vizitorë, në vend që të harxhonin një ditë përpara kompjuterit, e harxhuan atë në një botë reale për të bërë një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tyre – afrimin drejt një profesioni.