Klubi i Biznesit

“BOOM” Aktivitetesh në Harry Fultz: Këtë herë Klubi i biznesit zhvillon fazën e dytë të konkursit midis klasave të biznesit në lëndën e Praktikës profesionale. Ky konkurs solli emocione për nxënësit që prezantuan projektet dhe ambicien për tu shpallur klasa fituese. Temat ishin: "Blerja dhe rastet e saj" dhe "Shitja dhe Blerja në një kompani". Klasat u përfaqësuan me dy prezantime në PowerPoint dhe dy postera, nga një për secilën temë. Prezantimi me temë: “Blerja dhe rastet e saj” përmbante informacion lidhur me: përkufizimet e blerjes, procesin e blerjes, rastet e blerjeve në një kompani, kontabilizimet përkatëse, sjelljet e konsumatorëve dhe ilustrime nga biznese reale si qendrat ETC dhe COIN. Ndërsa prezantimi “Shitja dhe Blerja në një kompani” përmbante informacion lidhur me: departamentin e shitjes, blerjes, prodhimit, bashkëveprimin e tyre kur në magazinë mungon nje produkt, blerjen e lëndëve të para me çmimin dhe cilësinë më të leverdisshme dhe ilustrime nga vizita tek Birra Stela.

Prezantimi i pare u bë nga klasa III6, e cila solli informacion për konsumin, ndikimin e tij në ekonomi, përkufizimin e blerjes, rastet e blerjes dhe kontabilizimet përkatëse, rolin e departamenteve…etj. E gjithë puna ishte ilustruar me dy postera, një për secilën temë.

E dyta prezantoi klasa III7, e cila ishte fokusuar në sjelljet e konsumatorëve, procesin e vendimmarrjes, rastet e blerjes dhe historikun e qendrës Galeria. Puna e tyre ishte gjithashtu e ilustruar me postera. Atmosfera mes nxënesve ishte miqësore, por nuk mungonte konkurenca dhe ambicia për të fituar. Drejt fundit të aktivitetit të dyja klasat bënë pyetje që nxitën diskutime, ku secila klasë sillte argumenta në mbrojtje të pergjigjeve të tyre.

Nxënësit u argëtuan dhe përforcuan njohuritë e marra gjatë orës së mësimit. Prezantimet ishin të pasura me informacion dhe paraqitje estetike. Aktiviteti u drejtua nga mësuesja e lëndës Mimoza Marjani, shefja e departamentit të biznesit Vjollca Latifi dhe mësuesja e ftuar Aida Rembeci.