Aktivitet i klubit të biznesit për lëndën e Praktikës

profesionale

Në 22 Shkurt, klasat e IV5 dhe IV6 (dega biznes) prezantuan në ambientet e bibliotekës projektet rreth studimeve të kryera me tema: “Projekti i studimit të tregut – Statistika” dhe “Marketingu, pyetësori, reklama e një produkti te ri në treg”.

Temat e përzgjedhura nga nxënësit për studimin e tregut ishin:

Klasa IV5 : Përdorimi i duhanit dhe drogës. Objektivi ishte njohja e nxënësve me efektet negative të tyre si dhe marrja e masave parandaluese. Tema e dytë ishte krijimi i faqeve në WEB, rrjetet sociale dhe realizimi i një aktiviteti reklame. Kjo temë lidhet me marketingun e firmave që nxënësit vetë improvizojnë dhe punojnë gjatë gjithë vitit.

Klasa IV6 : Sa dhe si njihet potenciali edukativ i shkollës Harry Fultz. Objektivi ishte njohja me mendime dhe sugjerime të vlefshme për përmirësimin e këtij potenciali në përshtatje me kërkesat e tregut. Tema e dytë ishte gjithashtu për marketingun e firmave të tyre të improvizuara.

Për të nxjerrë rezultatet e këtyre studimeve, nxënësit punuan në grupe për disa javë në disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës. Anketimi përfshiu rreth 250-270 nxënës të këtyre shkollave.

Analiza e statistikore sillte këto rezultate përfundimtare: a) Për temën e parë: Përdorim i konsiderueshëm i duhanit nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Pyetësori e vinte theksin edhe në efektet negative të përdorimit të duhanit dhe drogës. b) Për temën e dytë: Bazuar në kërkesat e nxënësve, u konstatua se kushtet e shkollës në përgjithësi përmbushin nevojat e nxënësve. Pjesa më e madhe e nxënësve ishin të interesuar për aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në shkollën tonë. Prezantimi i temave studimore dhe analiza statistikore prezantuar nga klasa IV6 u vlerësua nga komisioni si më i miri në përmbushjen e objektivave te vendosura.