Komedia 8 persona plus

Në një nga ditët plot diell të marsit, skena e teatrit të shkollës Harry Fultz u pushtua nga magjia e artit skenik. Emocione të forta u përjetuan nga komedia “8 persona plus”, emocione të pazëvendësueshme. Një skenë që nëpërmjet lojës aktoreske na tregoi se pasioni, dëshira, intriga, tallja, kritika, autokritika janë pjesë e jetës sonë njerëzore.

Si një art kolektiv, teatri tregoi se aktorët jo vetëm që ishin në harmoni me njëri-tjetrin, por edhe një marrëdhënie të shkëlqyer me publikun, nga njëra skenë tek tjetra. Një publik me nxënës, mësues e drejtues të shkollës, të cilët shijuan gjithçka: fjalët, gjestet, veshjet, kolonën muzikore që shoqëroi shfaqjen tonë. Për rreth një orë, skena u pushtua nga magjia, aktorët, nxënës të viteve të 3-ta u falën shokëve dhe mësuesve emocione dhe të qeshura nëpërmjet batutave të tyre. Shfaqja mori jetë nën kujdesin e mësuesve të letërsisë: Alma Berberi, Luesta Metani, Suela Shala dhe nxënësve brilantë me lojën e tyre: Edsi Menaj (në rolin e Filipit), Denis Krasniqi (në rolin e Cercizit), Erinald Metaliaj (në rolin e bojaxhiut), Edison Shima (në rolin episodik të gomarit), Luna Gaci (në rolin e Ballkizit), Lisja Zeqja (në rolin e Ermenixhildes), Maria Marash (në rolin e Meremes) dhe Klaudia Ndreu (në rolin e Florës).

Personazhe të trukuar mjeshtërisht nën kujdesin e nxënëses Figali Velaj. Personazhet komike dhe ironike, me arsye dhe me logjike nëpërmjet trupit, shpirtit, zërit të tyre, na treguan përgjegjësinë e madhe që kishin marrë dhe interpretimin cilësor duke krijuar karaktere me përmasa të mëdha. Loja e bukur dhe befasuese e aktorëve, skenografia e përgatitur me shumë kujdes nga vetë grupi i punës, kostumet e goditura dhe portretet e tyre komike lanë mbresa të mëdha tek publiku. Ndërhyrjet midis pjesëve shoqëruar me kolonen muzikore, zilet e telefonit u ndihmuan nga puna e nxënësve të talentuar Elvis Kokoshi dhe Arxhoi Shehu. Duket se kemi risjellë në jetë dhe njëherë, të mëdhenjtë e skenës shqiptare: shkruesin e komedisë Ferdinant Radi dhe të madhin Roland Trebicka. Pikërisht këto figura kanë qenë burim frymëzimi për nxënësit tanë, duke u dhënë mundësinë të shkëlqejnë në një skenë që i duartrokiti fort. Suksesi qe i plotë, falenderime pa fund nga të gjithë, nxënës dhe mësues të shkollës. Gjithçka ishte një magji. Prandaj krenarë dhe shumë dashamirës nxënëesit aktorë ju ftojnë me shumë dashuri në teatrin e radhës duke ju kujtuar: Gjithmonë ka një vend për ty në teatër…